“Homazh për Nino Rota” një koncert instrumental i Konservatorit “Ninno Piccini” të Barit si dhe dy liceve artistikë të Vlorës dhe Gjirokastrës mbylli javën italiane të kulturës në kalanë e Gjirokastrës.
Në këtë koncert u interpretuan pjesë të njohura klasike nga kompozitorë shqiptarë dhe italianë ndërsa instrumentistët italianë dhe shqiptarë kishin punuar së bashku për koncertin.
Konsullja e përgjithshme e Italisë në Jug Luana Mikeli tha se bashkëpunimi në fushën e muzikës sapo ka nisur dhe do të pasohet nga projekte të tjera të përbashkëta.
” Ky interpretim i shkëlqyer e artistëve të rinj na jep shpresë për të ardhmen e një bashkëpunimi në fushën e muzikës. Fakti që të rinjtë kanë bërë prova së bashku dhe kanë mësuar nga njëri-tjetri është hapi i parë për takime muzikore dhe shkëmbime mes institucioneve të edukimit muzikor”, tha Luana Mikeli.
Vetë studentët dhe profesorët e Barit e gjetën eksperiencën shumë të veçantë.
“Është një përvojë e veçantë ku nuk njohëm vetëm njëri-tjetrin dhe muzikën por monumentet, jetën lokale dhe mikpritjen”, tha Gabriella Basi përfaqësuese e konservatorit të Barit.
Kjo ngjarje kulturore përmbylli javën e 19-të të gjuhës dhe kulturës italiane në botë. Më parë gjatë javës së kaluar shkëmbime të reja u dakordësuan në fushën e trashëgimisë, artit fetar, arkeologjisë dhe fushën akademike.
Kristina Fidhi
Top Channel