Një delegacion deputetësh të Parlamentit të Suedisë është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në vendin tonë, ku mes të tjerash ka takuar dhe ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, si edhe grupin parlamentar të miqësisë mes dy vendeve, të kryesuar nga deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka Ferhati, teksa u shoqërua gjatë vizitës nga Teuta Voda, Drejtuese e Fondacionit “Qemal Stafa”.

Në fokus të takimeve ka qenë forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe ecuria e Shqipërisë drejt familjes së madhe europiane. Deputeti i Parlamentit të Suedisë, pjesë e grupit parlamentarë Socialdemokrat, Olle Thorell, nënvizoi, gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se vlerëson ecurinë e vendit tonë në përpjekjet për t’u bërë pjesë e BE. Ai theksoi se e sheh vendin tonë si pjesë anëtarësisë së Bashkimit Europian.

“Ne jemi miq të Shqipërisë. Kjo nuk është hera ime e parë në Tiranë pasi jemi takuar më përpara. Kemi ardhur këtu si partia simotër e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të diskutuar, sesi mund të ndihmojmë në konsolidimin e demokracisë, ndërtimin e strukturave të partisë dhe lehtësimin e rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE duke ndarë mendime për çështje të përbashkëta, si barazia gjinore, reforma në gjyqësor”, – tha Thorell.

“Ne ndamë eksperiencat tona dhe shembuj të vendit tonë se si Suedia arriti të integrohej në sistemin europian pasi Suedia nuk ishte anëtare e BE-së deri ne 1995 dhe asaj iu desh të ndërmerrte udhëtimin e integrimit”, – vijoi ai.

“Ne dëshirojmë të jemi të qartë për Shqipërinë, pasi e shohim Shqipërinë si vend anëtar të familjes europiane dhe si pjesë e natyrshme e saj. Ndonëse ajo për momentin ka hasur një pengesë në rrugën e saj drejt BE-së, ne duam t’a shohim Shqipërinë si vend anëtar të BE-së në të ardhmen. Si kudo në botë edhe në Suedi ka një Diasporë të madhe shqiptarësh të cilët janë integruar shumë mirë dhe kontribuojnë në shoqërinë tonë dhe për ne Shqipëria është pjesë e natyrshme e BE-së”, –  u shpreh Thorell.

Duke folur për vendimin e Këshillit Europianë të datës 18 tetor, Thorell theksoi vendi ynë duhet të vijojë reformat. “Pavarësisht përgjigjes së Këshillit Europian, Shqipëria duhet të vazhdojë reformat dhe e shoh qe ju mbeteni të angazhuar në këtë aspekt. Ndërkohë do të merren vendime të tjera dhe Suedia do jetë e gatshme për t’ju mbështetur gjatë rrugës. Por ju duhet të vazhdoni zbatimin e reformave ne aspektin politik, ekonomik, demokratik dhe ligjor. Mësova nga kolegët e mi parlamentarë se ata janë shumë të angazhuar në këtë fushë dhe ne presim me padurim të bashkëpunojmë me ju në të ardhmen”, – tha Thorell, gjatë prononcimit të tij për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Klotilda Bushka Ferhati, deputete e Partisë Socialiste, kryetare e Grupit të Miqësisë së Parlamentit Shqiptar me atë Suedez, u shpreh për ATSH se, diskutimet me delegacionin e vendit nordik u fokusuan te vijimi i reformave, si rruga për të forcuar demokracinë dhe për t’ju afruar sa më shumë BE. “Kolegët Thorell dhe miqtë e tjerë nga Suedia, nuk është hera e parë që e vizitojnë vendin tonë dhe patëm kënaqësinë që të diskutojmë së bashku zhvillimet më të fundit në zbatim të Reformës në Drejtësi dhe reformave të tjera që janë në proces”.

“Këto reforma jo vetëm që na afrojnë me BE, por dhe forcojnë shtetin e së drejtës dhe krijojnë oportunitete më të mira për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Së bashku diskutuam në detaje në fakt dhe për çështje të vendimit më të fundit të Këshillit të Europës, që s’kishte vendim, ne nuk na u çel rruga për të nisur negociatat, por dhe nuk pati një vendim për këtë gjë, pra një vendim i tillë do të merret në të ardhmen”, – tha Ferhati.

“Unë vlerësojë faktin se kolegët nga Suedia kanë kuptuar, që mazhoranca, kolegët tanë në mazhorancë dhe aktorë të tjerë brenda vendit janë të përkushtuar për të çuar përpara axhendën e Reformës në Drejtësi dhe reformave të tjera, që i shërbejnë qytetarëve të vendit tonë”.

“Po ashtu gjatë takimit janë diskutuar dhe çështje të organizimin të strukturave të PS. Ne do të përgatitemi për zgjedhjet e viti 2021 dhe na duhet që me ndryshimet e reja në Europë dhe partive si motra të së majtës të përafrojmë në programet tona elektorale reflektim të këtyre ndryshime në Europë dhe Botë, pasi ky do të jetë dhe programi me cilin do ballafaqohemi me elektoratin tonë në zgjedhjet  e vitit 2021”, – tha ajo.

“Kemi diskutuar dhe për çështje të ekonomisë së gjelbër, mjedisin, çështje të ruajtjes së informacionit dhe mbrojtjes së njerëzve nga lajmet e rreme, Fake-News, gjuha e urrejtjes apo vënia fre e mekanizmave abuzues, sa i takon dezinformimit publik, të cilat janë çështje që do duhen adresohen jo vetëm në politikat që ne po punojmë çdo ditë, por edhe në programin elektoral për vitin 2021. Do të kemi një vizitë së shpejti ne si delegacion, ku këto çështje do zhvillohen dhe më tutje”, – bëri të ditur Ferhati për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati nënvizoi për ATSH, se miqtë nga Suedia mbështesin vendin tonë në rrugën drejt integrimit në BE. “Në emër të Partisë Socialiste, jemi shumë të entuziazmuar për këtë takim, me miq të Shqipërisë që vijnë nga Suedia nga partitë si motra, aq më tepër mbështetës të fuqishëm të integrimit të vendit tonë në BE”.

“Dhe te integrimi u fokusua dhe biseda jonë. I shpjeguam punën e madhe të bërë me të gjitha reformat dhe mbi të gjitha me atë në drejtësi. Gjithashtu dhe përpjekjet tona për të qenë pjesë e familjes së vlerave europiane”, – theksoi Bushati.

“Zotërinjtë deputet të parlamenti të Suedisë mbështesin Shqipërinë, rrugën e bërë dhe patjetër do të jenë mbështetës të Shqipërisë në BE. Kemi rrugët të gjatë për të bërë, rrugë të gjatë për të pasur një familje më të madhe më të mirë dhe më të siguritë në shumë fronte”.

“Kemi si bashkëpunim në shumë fusha, duke nisur nga mbrojtja e të drejtave të njeriut, të shtetit ligjor, dezinformimin, të drejtat e medieve, shoqërisë, si dhe promovimin e të drejtave të grave. Në Suedi kemi një përpjekje shumë të mirë në këtë drejtim dhe Shqipëria është vlerësuar dhe nga Kombet e Bashkuara për promovimin e grave në Politikë dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave. I kemi treguar dhe iniciativën tonë për të pasur bashkë kryesinë në institucionet tona politike, dhe delegacioni suedez në fakt është mbështetës jo vetëm i këtyre iniciativave por dhe i gjithë rrugës që ka bërë Shqipëria drejt zhvillimit pozitiv ekonomik dhe gjithashtu integrimit në Bashkimin Europian”, – tha Bushati për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Delegacioni suedez gjatë vizitës në Tiranë pritet të zhvillojë takime me kryetarin e Qarkut të Rrethit Tiranë, Aldrin Dalipin, me studentë të fushës së mjedisit për të diskutuar mbi efektet e ndryshimeve klimaterike, si dhe do të zhvillojë një vizitë në Muzeun Historik Kombëtar. /ATA/

Top Channel