Në pamje të parë shteti shqiptar dukej i fituar. Qeveria jonë nuk kishte as para dhe as ekspertizën e duhur për të ndërtuar një aeroport modern. Dhënia me koncension e Rinasit të rrënuar ishte në favorin tonë, pasi udhëtarët do të shërbeheshin me standarte. Megjithatë shteti dështoi në përpilimin e kontratës, për të mbrojtur interesat e tij në të ardhmen.
“Për shkak të formimit që ne kemi patur, eksperiencës që kemi patur në aviacion, në pjesën juridike, u bo një kontratë që nuk ishte e favorshme për shtetin shqiptar”, tregon Ervin Minarolli, ish-Drejtor i Aviacionit Civil.
Tani do të merremi më në detaje me pasojat e këtij Koncensioni. Brenda një kohë fare të shkurtër, ky aeroport do t’i zhvaste xhepat e shqiptarëve. Elementi i parë është ajo që quhet zonë ekskluzive. Në nenin 2 të kontratës, pika 3 dhe gërma C, thuhet:
“Qeveria e Shqipërisë garanton se gjatë afatit të Koncesionit nuk do të licensohet, autorizohet dhe as operohet asnjë aeroport tjetër për fluturime ndërkombëtare tregtare (kargo dhe pasagjerë), në Republiken e Shqipërisë”
Praktikisht kompania që mori me koncension aeroportin e Rinasit, u bë Zot në qiellin shqiptar për 20 vjet.
“Kontrata ishte që për 250 km nuk duhet të hapet asnjë aeroport tjetër. 250 km në vijë ajrore është e gjithë pjesa e Republikës së Shqipërisë, nga Konispoli deri në Vermosh. Kjo do të thotë që ti I jep me koncesion një firme të huaj ajërin e Shqipërisë duke shkelur në këtë mënyrë sovranitetin e Republikës së Shqipërisë. Shkelje e sovranitetit është shkelje e kushtetutës me vetëdije, vetëm e vetëm që aeroporti të jepet me koncesion”, shpjegon për Top Story Dritan Goxhaj, ekspert i Aviacionit Civil.
Problemi i dytë kishte të bënte me tarifat që aeroporti do t’i vendoste kompanive të fluturimit për shërbimet e ofruara.
Që në vitet e para u vu re se çmimet e biletave të udhëtimit nga aeroporti i Rinasit, ishin shumë të larta në krahasim më vendet e tjera. Pasagjerët kuptuan se po të fluturonin nga Mali i Zi, nga Kosova, ose nga Maqedonia për në Europë, biletat i gjenin shumë herë më të lira.
Kjo situatë vazhdon edhe sot, megjithëse diferenca e çmimeve është ulur ndjeshëm. Matematika është e thjeshtë, kur aeroporti vendos tarifa të larta për kompanitë e fluturimit, këto të fundit rrisin çmimet e biletave për pasagjerët.
“Na ka ndodhur që paketa që ne ofrojmë për një javë pushime në Shqipëri, ka qenë me të njëjtin çmim që bën bileta e avionit. Që është paradoksale, shumë e shtrenjtë, aspak normale. Në qoftëse ne shesim një paketë 500 euro bën, 500 euro bën edhe bileta e avionit”, tregon Kliton Gërxhani, Shoqata e Operatorëve Turistikë
Zoti Gërxhani është kryetari i shoqatës së operatorëve Turistikë. Ai tregon se sa të vështirë e kanë këta operatorë të marrin grupe tursitësh nga agjencitë europiane. Pengesa më e madhe janë biletat e shtenjta të avionit.
“Ajo çka ndodh është se ato thonë që është shumë e shtrenjtë si paketë, dhe peshën kryesore e ka bileta e avionit”, tregon Kliton Gërxhani, Shoqata e Operatorëve Turistikë.
Top Channel