Shërbimi i Çështjeve të Brendshme (SHÇBA) ka proceduar tre punonjës policie në Kavajë, pasi dyshohen se lejuan ndërtime pa leje dhe kanë falsifikuar dokumenta.
Hetimi u krye me metoda speciale duke dokumentuar me prova ligjore veprimtarinë e kundërligjshme, të këtyre punonjësve të policisë. Ndërkohë, raportohet se hetimet vazhdojnë ende.
Policët e proceduar janë:
– F.Gj., me detyrë Operatore pranë Zyrës së Shërbimit për Qytetarët në Komisariatin e Policisë Kavajë, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, si person i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”. Ajo dyshohet se duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra në këtë funksion, në kundërshtim me ligjin, favorizonte shtetas të ndryshëm gjatë përpilimit të dokumentacionit për pajisjen me pasaportë dhe ndërhynte për favorizime të ndryshme në sferën e ndërtimeve pa leje.
– Inspektor F.H., me detyrë Ndihmës/specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Kavajë, me masë sigurimi “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ai dyshohet se në mospërmbushje të detyrës ka lejuar dhe nuk ka raportuar ndërtimet pa leje.
– Inspektor S.B., me detyrë Ndihmës/specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Kavajë, me masë sigurimi “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ai dyshohet se në mospërmbushje të rregullt të detyrës, ka lejuar dhe nuk ka raportuar ndërtimet pa leje.
Top Channel