Këshilltarja e Haradinajt nxjerr fotot nga Berlini: Ja e vërteta e Ramës; u afrua pa ftesë te tavolina e Merkel dhe Macron

27/10/2019 08:23

Pas rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, që e nxorën në opozitë Ramush Haradinajn dhe partinë AAK, janë thelluar përplasjet midis tij dhe kryeministrit Edi Rama.

Haradinaj akuzoi së fundmi Ramën se së bashku me Hashim Thaçin, president i Kosovës, kërkonin t’i falnin Serbisë veriun e vendit me një pasuri prej 10 miliardë euro. Kësaj akuze, Rama iu përgjigj duke paralajmëruar padi për shpifje për kryeministrin ende në detyrë të Kosovës.

Por sulmet nga Prishtina kanë vijuar dhe së fundmi është këshilltarja politike e Haradinajt, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila ka publikuar një reagim. Stublla tregon versionin e saj të diskutimeve që u zhvilluan në Berlin, pak muaj më parë, midis liderëve të Kosovës, Serbisë, Gjermanisë dhe Francës. Të pranishëm atje ishin edhe liderët e rajonit.

Sipas Stubllës, Rama në një moment është afruar pa ftesë në tavolinën ku kancelarja Merkel dhe presidenti Macron i ftoi për pije liderët e Kosovës dhe Serbisë.

“KM Rama ‘kërcente’ në diskutimet që filluan aty – pa rend e pa respekt ndaj diskutuesve. Dikur filloi të kapte Presidentin Thaçi për krahu, duke tentuar ta tërhiqte më larg kryeministrit Haradinaj, për të gjetur një bashkëbisedues për dokrrat e tij gjeopolitike që si dëgjonte kush. Dikur kur u bind që Kosova ka lider që zëshëm dhe logjikshëm e argumenton realitetin e Kosovës, dhe atë madje edhe në anglisht edhe në frëngjisht, u spostua në kolltuqet anash hollit të Zyres së Kancelares, duke pozuar para fotoaparatit të Ministrit të tij në detyrë”, shkruan ndër të tjera Stublla.

Reagimi i plotë

Ja e vërteta e Ramës

Domosdoshmëria e zgjidhjes së nyjes Kosovë – Serbi, nuk i jep rol paternalist Edi Ramës që të imponohet si ndërmjetësues. Megjithatë, ai provoi këtë rol edhe në diskutimet informale në Berlin, duke u afruar pa ftesë tek tavolina ku kancelarja Merkel dhe presidenti Macron i ftoi për pije liderët e Kosovës dhe Serbisë. KM Rama ‘kërcente’ në diskutimet që filluan aty – pa rend e pa respekt ndaj diskutuesve. Dikur filloi të kapte Presidentin Thaçi për krahu, duke tentuar ta tërhiqte më larg kryeministrit Haradinaj, për të gjetur një bashkëbisedues për dokrrat e tij gjeopolitike që si dëgjonte kush.

Dikur kur u bind që Kosova ka lider që zëshëm dhe logjikshëm e argumenton realitetin e Kosovës, dhe atë madje edhe në anglisht edhe në frëngjisht, u spostua në kolltuqet anash hollit të Zyres së Kancelares, duke pozuar para fotoaparatit të Ministrit të tij në detyrë. Më pas vazhdoi pa ndonjë rol, duke ofsharë nëpër hollet e katit të 5të, e duke bërë gjestikulacione joserioze për një kryeministër për të shfaqur pakënaqësinë e tij për mungesë vëmendjeje, edhepse me mbathje atraktive.

Në fakt, do të ishte shumë më mirë nëse Rama do preokupohej me rrugën eurointegruese të Shqipërisë, e mos të humbte kohën e mundësinë duke fshehë dështimet e tij qeverisëse prapa këshillave ‘kreative’ që ia jepte Kryeministrit Haradinaj se si të zgjidhej çështja Kosovë – Serbi, apo si të veprohej me taksën 100%.

E vërteta është një, si privatisht, ashtu edhe publikisht: që Kosova nuk është mall as tokë që mund të shkëmbehet nga tregtarë aksidental!

Veprimet specifike të shqiptarëve që i përgjigjen agjendës serbe, do të kenë kualifikim të veçantë në historinë kombëtare… e kjo s’është punë e kësaj gjenerate!

Ma thuani cilit shqiptar i duhet ‘e vërteta’ e Ramës me dëshmitar Vuqiqin e Thaçin?!

FOTO GALERI
1/9

Top Channel