Serbia do nënshkruajë një marrëveshje të tregtisë së lirë me unionin ekonomik euroaziatik, të udhëhequr nga Moska, pavarësisht paralajmërimeve të Bashkimit Evropian.

Marrëveshja do të vuloset gjatë vizitës së kryeministres serbe, Ana Brnabic në Moskë. Kjo marrëveshje, sipas ministrisë serbe të tregtisë do të bëjë të mundur që 95.5 për qind e produkteve serbe të eksportohen në këtë rajon pa taksa doganore. Edhe pse Serbia aspiron të anëtarësohet në BE, ajo ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë, që vëzhguesit thonë se shfrytëzon unionin ekonomik euroaziatik për të rritur ndikimin e moskës në ish bashkimin sovjetik dhe për të kundërështuar BE dhe NATO-n. Ekspertët thonë se për Rusinë, kjo marrëveshje është më e rëndësishme në aspektin simbolik se sa në atë ekonomik.

Javën e kaluar, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic, tha se BE po monitoron nga afër negociatat dhe se nga serbia pritet të vendoset në një linjë me politikat e përbashkëta të BE.

Në Serbi është angazhuar shumë edhe Kina, që në kuadër të nismës së saj, një brez një rrugë, po vë në jetë një seri projektesh në vend. Zhvillimi më i fundit, ishte mbërritja në beograd e një treni kinez mallrash, i nisur një muaj më parë, për të inauguruar linjën e re hekurudhore për trena të këtij lloji mes Kinës e Serbisë.

“Kompanitë kineze janë aktive në ndërtimin e të gjitha pjesëve të shtetit tonë”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçic, në ceremoninë hapëse të stacionit të trenit, Beogradi i Ri.

E pikërisht këtij ndikimi në rritje ruso-kinez, që ndoshta më shumë se në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor po shfaqet në Serbi, i druhen një numër ekspertësh, vecanërisht pas mos hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut në samitin e liderëve, javën e kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA