Është zhvilluar konferenca ndërkombëtare e Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Europës Juglindore në Tiranë, ku morën pjesë krerët e autoriteteve të sigurisë kombëtare të vendeve të Europës Juglindore (SEENSA).
Konferenca u organizua nga DSIK dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal RCC dhe në të morën pjesë përfaqësues nga Autoritetet e Sigurimit Kombëtar të Greqisë, Sllovenisë, Kosovës, Malit të Zu, Moldavisë, Bullgarisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Në konferencë ishin të ftuar gjithashtu ministri Lleshaj si dhe kreu i Zyrës së Sigurisë së NATO-s si dhe përfaqësues nga agjencitë e sigurisë në vend e të huaja.
Ministri Lleshaj duke folur rreth sfidave të rajonit, vlerësoi mundësinë për të shkëmbyer opinione në kuadër të bashkëpunimit rajonal, integrimit europian, dhe perspektivës së sigurisë.
“Falë forcimit të integrimit rajonal dhe procesit të integrimit europian, ne po komunikojmë, vizitojmë dhe tregtojmë përherë e më shumë me njëri-tjetrin.
Vetëm në 10 vitet e fundit, numri i qytetarëve që kalojnë kufijtë tanë është rritur me rreth 160 %. Duke e pranuar se kjo dinamikë e lartë shkëmbimesh është diçka pozitive, fenomeni shoqërohet gjithashtu me sfida të mëdha për sigurinë”, nënvizoi Lleshaj.
Konferenca u fokusua në sfidat e sigurisë që përballet rajoni, në rëndësinë e sigurisë së rajonit si një e tërë e arkitekturës së sigurisë europiane dhe më gjerë, në nevojën e shkëmbimit të informacioneve të klasifikuara mes vendeve të rajonit, bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë kibernetike, etj..
Top Channel