Parlamenti evropian do të miratojë sot rezolutën për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas një debati që zgjati deri në orët e vona të së mërkurës.

Ndër të tjera, në rezolutë, nënvizohet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë reformat. Parlamenti Europian i bën thirrje Këshillit Evropian, të ndalojë frenimin e perspektivës së negociatave të pranimit dhe të kërkojë një propozim të Komisionit për një partneritet të ri me këto vende; po kështu të monitorojë përdorimin e fondeve në Maqedoninë e Veriut dhe të sigurojë një raport të hollësishëm në Parlament; Udhëzon Presidentin e tij që t’ua përcjellë këtë rezolutë Komisionit, Këshillit, qeverive e parlamenteve të shteteve anëtare dhe qeverive e parlamenteve të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Gjatë fjalës së saj, ministrja finlandeze për Çështjet Europiane, Tytti Tuppuraine, shprehu zhgënjim për vendimin e KE-së, por shtoi se do të bëhen përpjekjet për një vendim tjetër.

“Duhet të them se jam shumë e zhgënjyer që dështuam të marrim një vendim të qartë dhe të qëndrueshëm javën e kaluar. Kjo mungesë unanimiteti mund të shihet si pengesë për rolin e BE-së në Ballkan dhe për politikën e zgjerimit, që mbetet një investim strategjik për paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e Europës”, theksoi Tuppurainen.

Ndërkohë, komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, pohoi se vendet e Bashkimit Europian duhet të qartësojnë sa serioz janë për integrimin. Mes të tjerash, ai theksoi se Komisioni Evropian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Tani, vendet anëtare duhet të tregojnë sesa serioz është angazhimi i tyre kundrejt integrimit të Ballkanit Perendimor. Shqipëria e Maqedonia e Veriut nuk duhen akuzuar, ata bënë gjithçka që u kërkuam të bënin, në mos edhe më tepër”, vuri në dukje Hahn.

“Janë bërë reforma mbresëlënëse në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, në drejtësi, në luftën kundër krimit të organizuar. Mendoj veçanërisht për Shqipërinë, ku përparimet kanë qenë mbresëlënëse. Të gjitha këto janë të bazuara në guximin për të kapërcyer pengesat, për të kapërcyer zënkat e së shkuarës”, vijoi ai.

Top Channel