Zoran Zaev dhe Sasho Mijalkov u përballën në gjyq. Kryeministri në rolin e dëshmitarit për përgjimet joligjore, ish-drejtori i DSK-së si i pandehur në rastin Target-Fortesa.
Zaev iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve për gati një orë. Ai dëshmoi se për herë të parë për përgjimet e paligjshme të komunikimeve kishte kuptuar, kur u bë kryetar i LSDM-së në vitin 2013.
Informacionin e ka marrë nga Zoran Verushevski, i cili ishte kryetar i komisionit të sigurimit të partisë.
Ai i kishte thënë atij, se në parti për këtë kishin dosje audio dhe mesazhe SMS. Zaev për përgjimet e paligjshme e drejtoi gishtin në DSK, por në gjykatë, drejtpërdrejt nuk e përmendi drejtorin e atëhershëm, që tani është i akuzuar Sasho Mijalkov. Për më tepër, kryeministri sqaroi se nuk mbronte askënd në sallën e gjyqit.
“Sot, ja edhe kështu në aspekt narrativ pohoj që Sasho Mijallkov është fajtor si drejtor i DSK-së. DSK e ka bërë këtë, por e keqja vjen nga ai që e ka konsumuar këtë. Një politikan i ndershëm e pengon këtë, nëse e sheh, e denoncon e jo ta konsumojë”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Zaev para gjykatësve tha se vetëm ai ka vendosur se çfarë do të publikohet nga bisedat e përgjuara. Materialet janë ruajtur në hapësirë të sigurt dhe të mbyllur.
Vlerësimi i kryeministrit është se direkt apo indirekt, në mënyrë joligjore janë përgjuara mbi 20 mijë persona. Pasi ish prokurorët e PSP-së mbaruan me pyetjen, nga të akuzuarit një pyetje e parashtroi ish ministrja e brendshme, Gordana Jankulloska, por nuk kishte asgjë esenciale kurse Mijallkov dhe të akuzuarit e tjerë nuk e pyetën asgjë Zaevin në cilësinë e dëshmitarit. Kryeministri për këtë kishte sqarim.
“Besoj se Mijallkov dhe ministrja Jankullovska edhe Nikolla Gruevski që paraqitet nga larg, ku gjendet në arrati, por edhe të gjithë qytetarëve të vendit tonë, madje edhe fëmijët e kanë të qartë si dita se kush ka përgjuar, kush është përgjegjës për përgjimet e paligjshme dhe se të gjithë presin të shqiptohet dënimi”, tha Zaev.
Ai tregoi se katër herë është takuar me kryeministrin e atëhershëm, Nikolla Gruevski. I ka thënë se posedon biseda të përgjuara. Gruevski ka kërkuar të vërtetohet që ka audio incizime ose transkripte. Zaev nuk i ka dhënë. Ai i ka treguar një bisedë kur Gruevski ka blerë një tokë në Vodno.
Para Zaevit para disa javësh dëshmoi Zoran Verushevski. Por as ai nuk e përmendi emrin e Sasho Mijallkovit. Ai tha se Nikolla Gruevski duhet të jetë i akuzuari i parë në rastin “Target- Fortesa”.
Në këtë rast për përgjimet e paligjshme përveç Mijallkovit dhe Jankullovskës, të akuzuar janë edhe ish agjentët sekret që u arratisën në Greqi, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski dhe tetë persona të tjerë./AlsatM/
Top Channel