Paralelisht me komisionin e reformës zgjedhore ekspertë të opozitës së bashkuar do të mblidhen nesër në orën 9.30 në selinë blu. Burime pranë grupit të punës së ekspertëve opozitar bëjnë me dije për Top Channel se “opozita është thellësisht e angazhuar me Reformën Zgjedhore.
“Ne kemi bërë të qartë tek tryeza e organizuar nga OSBE që duam të japim kontributin tonë për reformën. Për këtë qëllim, nesër në orën 9.30, do të mblidhet grupi i punës së opozitës së bashkuar për reformën zgjedhore”.
Opozita ka vendosur që grupi i punës për reformën zgjedhore të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshem i PD, Gazment Bardhi.
Më herët numri dy i PD-së, Gazment Bardhi konfirmoi për Top Channel se: “opozita e bashkuar nuk do të dërgojë asnjë përfaqësues në komisionin jo-legjitim të reformës zgjedhore’.
Nga PD, pjese e grupit të punës gjithashtu do të jenë Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso, Enkelejd Alibraj, Çlirim Gjata, Endri Hasa dhe Arben Ristani.
Të gjitha partitë e koalicionit do të kenë përfaqësuesit e tyre në grup pune: LSI ka caktuar 3 përfaqësues; PR dhe PDIU nga 2 përfaqësues; PAA, PDK, LZHK, PBDNJ nga 1 përfaqësues.
Top Channel