Top Story/ Ziso Kristopulli tregon si u torturua nga SHIK: Historia që u inskenuan dhe kurthi i “gazetarit” misterioz

22/10/2019 21:18

Ndërsa Remziu ishte në vëzhgim në Tiranë, në jug të vendit në Ksamil, në lokalin e Ziso Kristopullit, bie në sy shfaqja e një personazhi misterioz që prezantohet si gazetar kroato-austriak me emrin Armando Ditelmens.

Emri i tij i vërtet është Avdyl Loshaj dhe ishte me origjinë nga Kosova. Loshaj dhe Kristopulli vihen në survejim.

“Ma prezantoi si kameraman në luftën e Bosnjës me origjinë austriake, por ai shoqërohej edhe me policët, e solli Stafan Vasili e tha është nip i tezes sime, sot Stefan Vasili është i plotfuqishëm i Ksamilit, ai e di problemin”, rrëfen Ziso Kristopulli, i rrëmbyer nga SHIK.

“Përfshirja e Zisos në këtë histori, krijonte pazëll të plotë, që shërbimet sekrete serbe e greke që janë armiqtë natyralë, kështu konsideroheshin në atë kohë, po komplotonin kundër Shqipërisë. Personazhi që ishte përzgjedhur ishte edhe kryetar i PS-së në jug, pra përshinte në skenë edhe PS-në”, tregon Artan Hoxha.

“Më dukej i dyshimtë, këtu ia kam thënë, e ka thënë edhe vet ai. Armando bënte sikur nuk dinte shqip, shqipen e dinte ai se kosovar ishte, bënte polemikë me Armandon tek lokali”, rrëfen Ziso Kristopulli, i rrëmbyer nga SHIK.

Pra, Avdyl Loshaj ka pranuar se është përdorur nga shërbimet sekrete. SHIK i konsideronte Loshajn dhe Kristopullin pjesë të një grupi spiunazhi të drejtuar nga Remzi Hoxha. Të tre, u rrëmbyen dhe u torturuan në të njëjtën bazë, në Vain të Lezhës gjatë tetorit të vitit 1995.

“E kanë marrë Kristopullin që është minoritar grek që jeton në Ksamil, e kanë marrë Avdyl Loshaj që ne e konsiderojmë se ka punuar vërtetë për shumë shërbime, dhe e kanë bërë lidhjen. Ne kemi gjet informacion, foto që Loshaj e kishte survejuar edhe babin tim e kishte qëndruar në një familje afër familjes sonë, gjyshit ku jetonim ne”, rrëfen Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës.

Loshaj, ishte i pari që do të izolohej në godinën e SHIK në Vain. Pas tij, Ziso Kristopulli e në fund Remzi Hoxha.

“Këtu kam pas një pasuri që në ‘90-ën, kisha një pulari, rreth 3-4 mijë pula, në 14 Tetor të 95-ës më vijnë 4 njerëz të panjohur e më thonë jemi në kontrollin e shtetit, të vemi në Gjirokastër për të parë pronësinë që ke marrë në Ksamil dhe unë ju kam thënë që jam privat e nuk kam nevojë për kontrollin e shteti. Erdhën këtu më futën në makinë më çuan në Gjiroakstër”, rrëfen Ziso Kristopulli, i rrëmbyer nga SHIK.

Kristopullit i hedhin në kokë një thes të zi, të cilin e ka mbajtur derisa e dorëzuan në bazën e Vainit. Gjatë rrugës, shoferi Besim Datja ndërroi disa herë targat. Itinirari u konfirmua edhe përmes dy faturave për furnizim me karburant për mjetin me targa TR 2250 Z.

“Erdhi Iliri hapi një bllok shumë të madh ku se di ça shkruhej, pyetja e parë ishte a e njeh Armando Ditermens? Po i thash e njoh. Armand Ditermens tha të akuzon se je agjent serb në bashkëpunim me Remzi Hoxhën. E njeh Remzi Hoxhën tha? Jo I thash nuk e njoh. Ngrihet Kumbaro, më ngre nga krevati e më fut gishtin, o do flasësh qen o do vdesësh këtu, ca do flas? Nuk di gjë çmë ngatërron mua Armando nuk di”, rrëfen ngjarjen Ziso Kristopulli, i rrëmbyer nga SHIK.

Në gjithë këtë skenar ku Kristopulli kishte rënë viktimë, për të ishin sajuar edhe akuza konkrete.

“Si trafikant armësh, i ke çuar Elbasan, Vlorë, Përmet, ke vajtur Serbi, i sillte Remziu nga Serbia në. E dyta, ke vulën e serbit, ke vulosur fletët e referendumit, që humbi Presidenti, të ’94-ës. Ku do ta vrisje Agron Musarajin, ku do i bëje atentatin. Deri ditën e tretë unë nuk pranova asgjë”, tregon Ziso Kristopulli, i rrëmbyer nga SHIK.

Për tre ditë me radhë, njësoj si Avdyl Loshaj, Ziso Kristopulli përjeton tortura çnjerëzore nga disa personazhe që ai I kujton sot e kësaj dite.

“Personat që më rrahën, Kumbaro, Budjoni, Sefgjini. Ka pas që nuk i kam njohur se ndryshonin emrat, njëri Sulo, tjetri ashtu, ndërronin emrat mos ti mësoja”, tregon Ziso Kristopulli, i rrëmbyer nga SHIK.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA