Festivali i teatrit “Kadri Roshi” nisi në Gjirokastër natën e parë të eventit 8 ditor, ku trupa të përzgjedhura nga Shqipëria dhe trojet do të konkurrojnë përpara një jurie profesionistësh. Nata e parë e festivalit nisi me komedinë “Art”, vënë në skenë prej teatrit “Metropol”.
Komedia e autores franceze Yasmine Reza prej gati 25 vitesh është interpretuar në më shumë se 30 gjuhë. Regjisori i ri Kriks Duma e përshtati pjesën duke i dhënë ngjyra të realitetit shqiptar. Në qendër të veprës është konfuzioni që shkakton tendenca për interpretimin e modernes në art dhe gre pikpyetje të shumta rreth artit dhe shoqërisë si dhe rreth vlerave të vërteta në jetë. Serzhi, Ivani dhe Marku humbasin në debatin e gjatë teorik mbi artin dhe rrezikojnë të shkatërrojnë miqësinë e tyre shumëvjeçare. Gjithçka nis pasi Serzh blen një pikturë të bardhë për një shifër marramendëse. Shfaqja me një ritëm intensiv, humor, batuta dhe sarkazëm u prit me shumë interes nga publiku në Gjirokastër.
“Art” është shfaqur për herë të parë në Francë në vitin 1994 dhe premiera e saj e parë ishtë këtë pranverë në teatrin “Metropol”. Festivali “Kadri Roshi” i Gjirokastrës do të vijojë në natën e dytë me një tjetër komedi, këtë herë klasike, “Kopraci” nga Molieri.
Top Channel