Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka folur për mediat pas mbledhjes me aleatët.

“Jemi shumë të qartë në aksionin e vazhdueshëm opozitar dhe qartësojmë çdo ditë e më shumë axhendën e frontit opozitar. Tashmë axhenda jonë nuk është më një axhendë thjesht politike, por është një axhendë që ka të bëjë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian,. Vendim më dëshpërues se ç’ka qenë javës së kaluar për hapjen e negociatave për shqiptarët për hir të së vërtetës por edhe për gjithë partnerët tanë strategjikë, duke filluar që nga SHBA, të cilët për hir të së vërtetës kanë qenë partnerët tanë strategjikë të cilët i kanë qëndruar gjithnjë në momentet më të vështira dhe më të dëshpëruara Shqipërisë pranë. Na motivon akoma më shumë si tryezë e frontit opozitar për të pasur një axhendë shumë të qartë ku 9 kushtet e Bundestagut gjerman janë axhenda më e qartë dhe më e kthjellët për klasën politike shqiptare.

Ajo që duhet të theksojmë dhe që është shumë e vërtetë është që shkaktari i gjithë kësaj situate të degraduar dhe që po largon çdo ditë e më shumë vendin nga BE është Kryeministri Rama, i cili është ai që duhet vendosur përballë gjithë përgjegjësisë. Kushtet e Bundestagut e kanë bërë shumë të qartë, Maqedonia ishte shteti i cili u ndëshkua për shkak të mos ecjes së reformave të qeverisë shqiptare, ku një nga pikat kryesore janë 9 kushtet e Bundestagut dhe pjesa tjetër është moslëvizja dhe mosreagimi i qeverisë shqiptare për kushtet e një viti të mëparshëm të vendosura përsëri nga BE-ja.

Ajo që dua t’ju them dhe që është shumë e rëndësishme është fakti se ne kemi bërë hapin e parë ku kemi propozimet tona përsa i përket reformës zgjedhore sepse pa reformë zgjedhore nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, gjë që e thotë sërish BE-ja. Pa zgjidhjen e krizës politike shqiptarët nuk mund të kenë asnjë mundësi për t’u integruar dhe jo vetëm për të krijuar sigurinë e jetës së tyre, por për klimën e biznesit, për krijimin e klimës së besueshmërisë për realizimin e të gjitha reformave.

Ne nuk duhet të bëjmë asnjë hap të gabuar, duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të ngjallur optimizmin tek qytetarët dhe për të kthyer hakun tek i zoti për të arritur të gjithë në një pikë që janë zgjedhjet e reja, të cilat do të sjellin rrënimin e këtyre mureve kaq të larta që Rama ka ngritur.
Ne si opozitë jemi shumë të qartë që e ardhmja e Shqipërisë është integrimi evropian dhe partnerët tanë strategjikë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 99 për qind e shqiptarëve duan të jenë anëtarë të Evropës, sepse janë në Evropë. Edi Rama luajti me ëndrrat e tyre për shkak të karriges së tij dhe mendoj që ka ardhur koha që të jemi shumë racionalë për ta larguar këtë lloj situate që e ka futur Shqipërinë në një rrugë pa kthim. Por ka një dritë jeshile.
Drita jeshile është shumë e qartë, ajo që BE-ja ka lënë kushtet e domosdoshme, 9 kushtet e Bundestagut, reformën zgjedhore dhe hartimin e zgjedhjeve të reja parlamentare të menjëhershme, zgjidhjen e krizës politike, ilegjitimitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit, krijimin e të gjitha institucioneve të sistemit të drejtësisë, që për hir të së vërtetës janë penguar nga Rama dhe nga grupi i tij.

Unë mendoj dhe jam e bindur që gjërat do të ecin përpara, ajo çka është shumë e rëndësishme sot dhe që dua ta theksoj është që qëndrimi në unison i të gjithë frontit opozitar që po vjen duke u formatuar dhe duke u përgatitur në përgatitjen e planit të masave që janë të domosdoshme dhe ajo që mendojmë ne është zgjidhja e krizës politike që për hir të sëvërtetës ka bllokuar çdo institucion”, tha ajo.

Top Channel