Duket se aspiratat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për t’u bërë pjesë e BE-së, duhet të presin.

Krerët e bllokut europian patën debate të tensionuara deri në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes mbi të dy vendet e Ballkanit, por në fund, nuk qenë në gjendje të ishin në një mendje qoftë edhe mbi një deklaratë që ofronte inkurajim dhe shtyrje të vendimit zyrtar.

Presidenti francez Emmanuel Macron e kundërshtoi me forcë çeljen e bisedimeve të anëtarësimit, e në fund,  mbizotëroi ndaj liderëve të tjerë, përfshirë Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilët ishin në favor të kësaj lëvizjeje.

Kryeministri Hollandez Mark Rutte mbështeti një kompromis të mundshëm i cili do të lejonte që negociatat të çeleshin me Maqedoninë e Veriut ndërsa Shqipëria të vendosej në listë pritjeje.

E kësaj linje, sipas Ansës, ishte dhe karta e fundit në tryezë për ta bërë presidentin francez të ndryshojë mendim, të cilën e hodhi Finlanda, e cila mban presidencën e BE-së. Ajo nga sa pretendon agjensia italiane e lajmeve, doli me idenë e  ndarjes së fateve të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore. Plani ishte  të “ sakrifikohet Tirana dhe të shpëtohet Shkupi” në përpjekjen përfundimtare për të mos destabilizuar rajonin.

Nëse krerët e BE nuk japin dritën e gjelbër në negociatat “qeveria jonë do të vdesë”, pat paralajmëruar kryeministri maqedonas Zoran Zaev. Por mundësia e ndarjes së të dy vendeve në këtë proces nuk e gjeti mbështetjen e  Francës, e madje edhe disa shtete si Italia, janë shprehur se dëshironin një rrugë të qartë për të dy vendet.

Top Channel