Ndotja e ajrit ka ndikuar në 412,000 vdekje të parakohshme në Evropë në vitin 2016, tha të mërkurën Agjencia Evropiane e Mjedisit. Prej tyre, 374,000 vdekje kanë ndodhur në vendet e Bashkimit Evropian.
Agjencia citoi të dhëna nga 41 vende të Evropës, përfshirë 28 anëtaret e BE-së.
“Transporti rrugor, termocentralet, industria dhe bujqësia ishin ndër burimet kryesore të ndotësve të ajrit”, tha agjencia me seli në Kopenhagen. Sipas saj, dëmi më i madh vjen nga ndotja e grimcave të ajrit dhe dioksidi i azotit.
Standardet më të ashpra për emetimet kanë ndihmuar në uljen e niveleve të vdekjeve të parakohshme që nga viti 1990, por ka ende punë, theksoi agjencia.
“Po bëjmë përparim, por është koha të përshpejtojmë ndryshimet në sistemet tona të energjisë, ushqimit dhe lëvizshmërisë”, tha kreu i Agjencisë Evropiane të Mjedisit, Hans Bruyninckx.
Top Channel