Kriza politike katër-mujore e Hong Kongut u tranferua në sallën e parlamentit të mërkurën. Shefja ekzekutive Carrie Lam u detyrua të mbarojë para kohe një fjalim vjetor të saj mbi situatën politike në vend.

Protestat nisën që nga momenti kur zonja Lam hyri në sallë. Ligjvënësit pro-demokracisë mbanin foto të saj me duar të lyera me gjak.

Ata nisën të bërtasin kur zonja Lam nisi fjalimin duke e detyruar atë të largohej nga salla. Një përpjekje e dytë e saj për t’u rikthyer dështoi gjithashtu për shkak të protestave dhe presidenti i Këshillit Legjislativ Andrew Leung vendosi të shtyjë seancën.

Por më vonë zonja Lam mbajti një fjalim televiziv. Në Uashington, ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve miratuan një seri masash për të mbështetur protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong, përfshirë një rezolutë që dënon ndërhyrjen e Kinës.

Ato që nisën në qershor si protesta kundër një projektligji që parashikonte ekstradimin për procese gjyqësore në Kinë janë zgjeruar në një lëvizje për demokraci të plotë të Hong Kongut. Portestuesit kërkojnë gjithashtu të zhvillohet një hetim i pavarur për përdorimin e dyshuar të forcës së tepërt nga policia, amnisti të plotë për të gjithë aktivistët e arrestuar si dhe dorëheqjen e zonjës Lam.

Policia ka përdorur ujë, gaz lotsjellës e plumba gome kundër demonstruesve. Që nga qershori më shumë se 2 mijë vetë janë arrestuar. Një e treta e atyre që janë dënuar me burg janë adoleshentë 18 vjeçarë por edhe në moshë më të re.

Shumica e protestave kanë qenë paqësore, por ka pasur incidente në rritje gjatë të cilave aktivistë të maskuar kanë kryer akte vandalizmi ndaj bizneseve, sistemit të metrosë së qytetit si dhe kanë sulmuar policinë me tulla e bomba me benzinë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA