Hahn: S’është dështim i Shqipërisë. Komisioneri: Vendimi lidhet me dinamikat e brendshme të Evropës

17/10/2019 12:41

Kryeministri Edi Rama është takuar në Bruksel me Komisionerin europian për Zgjerimin, Johannes Hanh, i cili ka riktheksuar edhe njëherë tjetër se Shqipëria i ka përmbushur detyrimet.

“Kishim një marrëveshje bazuar mbi një vendim unanim të të gjithë vendeve anëtare për 5 prioritetet kyçe, mbi të cilat përpiluam një vlerësim vjet, përsëri këtë vit bëmë një vlerësim dhe rekomanduam këtë vit, njësoj si vitin e kaluar, që të nisin negociatat. Nëse nuk ndodh sot, sepse është agjenda e Këshillit Europian, nuk do ishte për ndonjë dështim të Shqipërisë, apo qeverisë së vendit.

Është një çështje që lidhet me dinamikat e brendshme të Europës dhe mendoj që është e rëndësishme që ta dinë qytetarët e Shqipërisë këtë. Do doja vetëm të inkurajoja qeverinë të vazhdojë me reformat që po zhvillojnë, sepse është në interes të qytetarëve shqiptarë. Nuk bëhet për të na kënaqur ne.”, tha Hahn.

Ne tha kryeministri Edi Rama, e kemi bërë atë që na është kërkuar

“Po përtej faktit që çfarë kemi bërë ne dhe çfarë duhet të bëjmë, jemi në kushtet kur në Këshillin Europian diskutohet për çfarë duan, apo nuk duan të bëjnë vetë anëtarët e familjes për familjen e tyre, pasi dihet që një anëtar i rëndësishëm i familjes kërkon një qasje tjetër të të gjithë familjes ndaj këtij procesi. Kjo do të thotë që, nga njëra anë, ne duhet ta kuptojmë qartë këtë situatë dhe nga ana tjetër ta vazhdojmë procesin e reformës, sepse, siç e tha dhe Komisioneri, nuk i bëjmë pse po na i kërkon Brukseli, Londra, Parisi, apo Berlini”, tha Rama.

Po i bëjmë dhe do t’i vijojmë reformat theksoi Kryeministri Rama sepse na i kërkon nevoja që t’u lemë fëmijëve tanë një Shqipëri europiane.

Top Channel