Fituesi i “Big Brother 6”, Anaid Kaloti, ishte i ftuar në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, për të folur rreth të rejave nga jeta personale, por askush nuk e priste që gjatë intervistës ish-banori të zbulonte sekretin më të madh të këtyre tre viteve të fundit.
Sapo në led u shfaq fotoja e Kleas, vajza e vogël me të cilin ai poston shpesh në rrjetet sociale, Anaidi reagoi menjëherë, duke u shprehur se ajo është e vetmja femër që dashuron më së shumti në jetë.
“Klea ka ardhur në jetë, si një dhuratë midis dy njerëzve që nuk e donin dhe aq shumë njëri-tjetrin…unë dua të them se është vetëm Klea ajo që është në jetën time dhe çdo gjë rrotullohet rreth asaj…”, tha ai.
E teksa këto fjalë nisën të konfuzonin Bietën, 34 vjeçari zbuloi se vogëlushja e fotove është e bija, për të cilën nuk e dinte se ekzistonte derisa ajo mbushi 1 vjeç.
Anaidi shpjegoi se Klea erdhi në jetë nga një lidhje e shkurtër me një vajzë, e cila nuk i tregoi që ishte në pritje të fëmijës së tyre derisa Klea festoi 1 vjetorin e lindjes.
Sa i përket marrëdhënieve më të ëmën e Kleas, ai tregoi se vajza është e vetmja gjë që i lidh dhe për hir të saj mbajnë raporte të mira, madje kjo e fundit mikpritet edhe nga familja e Anaidit.
“Ajo hyn dhe del te shtëpia ime, është një femër që mikpritet, qoftë nga unë apo familja. Nuk është nusja ime, nuk kemi qenë ndonjëherë të fejuar, të martuar apo nuk e di se çfarë, por dhurata që na solli Zoti na bëri të afroheshim më shumë seç ishim më përpara”, sqaroi ai.
Top Channel