Arritja e një marrëveshje mes Britanisë dhe BE për Brexit ishte një lajm i tmerrshëm për Federatën Angleze të Futbollit që do të duhet të përballet me probleme të shumta në momentin kur Brexit të hyjë në fuqi.
Kur kjo të ndodhë, futbollistët evropianë do të trajtohen njësoj si qytetarët e vendeve që nuk janë pjesë e Eurozonës dhe do të duhet të respektojnë të gjitha rregullat e Mbretërisë së Bashkuar.
Në merkaton e transferimeve çdo lojtar që do të kërkojë të luajë në Premier league do të duhet të plotësojë të njëjtat kritere si çdo punëtor tjetër i huaj në Britaninë e Madhe dhe do të duhet të pajiset me leje pune nga klubi tek i cili do të dojë të luajë, dokument që do të lëshohet nga Ministria e Brendshme Britanike.
Aktualisht për të marrë këtë leje pune, duhet që kombinimi i renditjes së FIFA të Kombëtares së futbollistit dhe aktivizimi i tij në 2 vitet përpara kryerjes së kërkesës për të hyrë në Britani të jetë në një përqindje të kënaqshme.
Por jo vetëm kaq, në këtë pikë duhen marrë parasysh edhe kostoja e transferimit, paga dhe karriera e mëparshme e lojtarit i cili diskutohet në çdo aspekt pa përjashtim. Në këtë pikë ata që do të kenë më shumë probleme me lejen e punës do të jenë lojtarët që nuk janë në nivelin e yjeve të futbollit botëror dhe një shembull mund të jenë Kantè e Mahrez.
Por problemi me Brexit do të jetë i lidhur edhe me anën financiare. Paundi do të zhvlerësohet në mënyrë drastike dhe për klubet britanike do të bëhej gjithnjë e më e vështirë të qëndrojnë kompetitivë në merkaton ndërkombëtare të futbollistëve.
Ekipet më të rëndësishme do të kishin probleme të mëdha jo vetëm në blerjen e yjeve të futbollit botëror, por edhe në mbajtjen e lojtarëve që kanë në dispozicion.
Klara Asqeriu
Top Channel