Këshilli i Ambasadorëve shqiptarë: Të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

16/10/2019 10:53

Këshilli i Ambasadorëve shqiptarë i ka drejtuar një thirrje vendeve anëtare të bllokut europian që t`i japin njëzëri dritën jeshile negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Këshilli sqaron në letrën e tij se në të dy vendet ekziston vetëdija e plotë se çelja e bisedimeve nuk nënkupton një anëtarësim automatik, por marrëdhënie më të afërt e mbikëqyrje më të rreptë në zbatimin e reformave.

“Procesi i zgjerimit gjithmonë e ka forcuar Bashkimin Europian, dhe nuk është bërë kurrë pengesë për reformimin e brendshëm të BE në përshtatje me sfidat e kohës”, thonë ata, duke argumentuar se një hap i tillë në këto momente do të ishte me rëndësi të jashtëzakonshme për ritmin e reformave në dy vendet candidate, por edhe për forcimin e besueshmërisë tek institucionet europiane.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, të mbledhur një ditë më parë në Luksemburg, dështuan në arritjen e një vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriut, duke ja deleguar çështjen mbledhjes së Këshillit europian, ku marrin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare.

Në fund të takimit, ministrja e Jashtme e Finlandës, Tytti Tuppurainen shprehu zhgënjim për mosarritjen e një vendimi unanim lidhur me dy vende të një rajoni të cilin ajo e përcaktoi si një “lagje të BE-së”. Megjithatë ajo u shpreh optimiste për një marrëveshje në mbledhjen e Këshillit europian. Me tone zhgënjyese foli dhe Komisioneri në largim për Zgjerimin Johannes Hahn.

“Ky nuk është një moment lavdie për Europën. Shpresoj ende që të mund të ketë një vendim pozitiv brenda kësaj jave dhe bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mund të happen”, tha Hahn.

Komisioneri Hahn tha se 25 nga 28 vende anëtare kishin qenë në favor të çeljes se negociatave.

Top Channel