Ish-këshilltarja e Presidentit Trump jep detaje për kontaktet me Ukrainën

16/10/2019 03:59

Fiona Hill, ish-këshilltarja e lartë e presidentit amerikan, Donald Trump për Rusinë dhe Evropën, dëshmoi të hënën se ajo e kishte kundërshtuar me forcë shkarkimin e ambasadores amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch, dhe se ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton e kishte udhëzuar atë të fliste me juristët e Shtëpisë së Bardhë lidhur me përpjekjet për presion ndaj Ukrainës.

Zonja Hill dëshmoi të hëhën me dyer të mbyllura, por detajet u bënë të njohura nga agjencia Associated Press dhe gazetat “New York Times” dhe “Washington Post”, që citojnë burime me dijeni për dëshminë e saj.

“New York Times” njofton se sipas tre personave që ishin të pranishëm në dëshminë e zonjës Hill, zoti Bolton u përfshi në një këmbim të tensionuar më 10 korrik me ambasadorin amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, i cili po bashkëpunonte me avokatin e Presidentit Trump, Rudy Giuliani për t’i bërë presion Ukrainës të hetonte demokratët.

Deri para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë në korrik, zonja Hill ishte drejtoreshë për Evropën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të zotit Trump, me njohuri direkte për kryerjen e politikës së jashtme amerikane. Avokati i saj, Lee Wolosky, tha se ajo ishte thirrur nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin dhe kishte në plan t’u përgjigjej pyetjeve të ligjvënësve.

Javën e kaluar zonja Yovanovitch, një diplomate karriere e Departamentit të Shtetit, u tha ligjvënësve se zoti Trump e kishte larguar atë nga detyra bazuar në “informacione të pabaza e të rreme”, pasi avokati personal i zotit Trump, Rudy Giuliani kishte kritikuar efektshmërinë e punës së saj në Kiev.

Zoti Giuliani është përpjekur që të vërë në lëvizje autoritetet në Ukrainë që të hetojnë një nga kundërshtarët kryesorë politikë të zotit Trump, ish-nënpresidentin Joe Biden. Ai ka kërkuar të nisin hetimet lidhur me rolin që zoti Biden ka luajtur disa vite më parë në largimin e një prokurori ukrainas si dhe çdo lidhje që ai mund të ketë pasur me kompaninë ukrainase të energjisë “Burisma” ku djali i tij Hunter Biden shërbente si anëtar i bordit. Hunter Biden u largua nga bordi i Burisma-s disa muaj më parë. Si Joe Biden ashtu edhe djali i tij kanë hedhur poshtë çdo akuzë për shkelje të ligjit.

Gjatë një bisedë telefonike në fund të muajit korrikut presidenti Trump i pati kërkuar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, që Kievi të hetojë zotin Biden dhe djalin e tij si dhe që të komunikojë për këtë çështje me zotin Giuliani si dhe Prokurorin e Përgjithshëm William Barr.

Sipas një përmbledhje të zbardhur të bisedës telefonike publikuar nga Shtëpia e Bardhë, zoti Trump i kishte thënë zotin Zelenskiy se:

“Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara ishte ‘problematike’ dhe se njerëzit me të cilët ajo merrej në Ukrainë ishin gjithashtu ‘probelmatikë’. Ka shumë zëra lidhur me djalin e zotit Biden dhe se Joe Biden ndaloi një hetim penal. Shumë njerëz duan të dinë lidhur me këtë… pra çdo gjë që mund të bësh me Prokurorin e Përgjithshëm do të ishte shumë e rëndësishme. Bideni shkoi gjithëandej duke u mburrur se e kishte penguar ndjekjen penale… kështu që a mund ta shihni këtë çështje….pasi mua më tingëllon e tmerrshme”, i kishte thënë zoti Trump homologut të tij.

Të dielën, Hunter Biden i mbrojti marrëdhëniet e tij të biznesit në Ukrainë dhe Kinë, ndërsa njiftoi se në fund të tetorit do të largohej nga pozicioni i tij si anëtar i papaguar i një bordi të një kompanie kineze investimesh.

Presidenti Trump që e ka etiketuar të birin e ish-presidentit si “dështak”, e sulmoi atë në Twitter duke shkruajtur: “Hunter Biden po detyrohet të lërë një kompani kineze. Shihni tani se si Media e rreme do ta përqafojë me krahët e veta të pista dhe mbrojtëse. Vetëm pyetje të lehta për të, ju lutem!”

Komisioni i zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve është ende në fazat e hershme të hetimit mbi të cilin do të vendosë për ngritjen ose jo të akuzave zyrtare për shkarkimin e presidentit Trump. Hetimet kërkojnë të hedhin dritë nëse zoti Trump ka shkelur interesat që lidhen me sigurinë kombëtare amerikane në një përpjekje për të fituar një mandat tjetër vitin e ardhshëm.

Joe Biden, i cili ka bërë thirrje për ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit Trump, është një nga pretendentët kryesorë për të qenë kandidati zyrtar i Partisë Demokratike për garën e ardhshme presidenciale përballë Donald Trump-it.

Hetimi u nxit nga ankimi i një informatori sekret të komunitetit amerikan të zbulimit lidhur me përmbajtjen e bisedës telefonike mes presidendit Trump dhe homologut të tij ukrainas. Por presidenti thotë se biseda e tij me zotin Zelenskiy ishte “perfekte”.

Kryetari i komisionit të Zbulimit në Dhomës së Përfaqësuesve Adam Schiff ka thënë më parë se informatori do të dëshmojë përpara ligjvënësve, por tashmë ai duket hezitues nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

Zoti Trump iu referua hezitimit të zotit Schiff në Twitter, duke thënë se tani duket se nuk u duhet më informatori. “Arsyeja është se Informatori e ka humbur të gjithë besueshmërinë, sepse varianti i tyre është aq larg transkriptit”./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA