Koordinatori politik në Dibër i demokratëve ishte Edi Paloka. Ndërsa socialistët drejtoheshin nga Damian Gjiknuri, dhe aleat me ta ishte Ymer Lala, i cili ishte koordinator politik i PDIU-së për këtë qark.
“Me sa kam pas dijeni, Lala s’ka qenë person në kërkim se kam pyetur atëherë, s’ka pasur çështje penale të hapur ndaj tij, ka qenë qytetar i lirë”, tregon Damian Gjiknuri, ish-koordinator i PS-së në Dibër.
“Ne nuk kishim prova në kuptimin ligjorë të termit, për t’ju drejtuar Prokurorisë, por kemi refuzuar të bëhemi pjesë e skenarit të tyre për të angazhuar dhe për të qenë në të njëjtin skalion me njerëz të inkriminuar”, tregon Luan Rama zv.kryetar i LSI-së.
Nuk është thënë asnjëherë më parë, por Ymer Lala qëndroi gjatë fushatës zgjedhore në një hotel të Peshkopisë, i cili është më i miri në zonë. Ky quhet Hotel Veri, dhe rastësi apo jo, aty qëndronte kreu demokrat Lulzim Basha dhe pjesëtarët e tjerë të shtabit demokrat.
“Ymer Lala flinte në të njëjtin hotel ku rrinte Lulzim Basha, me gjithë shtabin e tij elektoral. Të dyja shtabet qëndronin në të njëjtin hotel, dhe di që PD-ja ka pasur oferta dhe kërkesa për bashkëpunim nga ana e Ymer Lalës për këto zgjedhje lokale”, tregon Damian Gjiknuri, ish-koordinator i PS-së në Dibër.
Pra, natën Ymer Lala flinte në një hotel me Lulzim Bashën, kurse gjatë ditës dilte në të gjitha takimet elektorale krah kandidatit socialist. Ndërkohë Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk shfaqej në asnjë moment.
“Ne vinim re që në një moment bashkëpunim strukturorë institucional, ata shfaqeshin indiferent, nuk kishin konsistencën dhe seriozitetin ky lloj angazhimi dhe bashkëpunimi”, tregon Luan Rama zv.kryetar i LSI-së
Por, përçarja vihej re edhe në kampin e demokratëve. Ish kreu lokal i Partisë Demokratike, Rrahim Kaleci, kishte dalë kundër kandidaturës së Sherefedin Shehut. Ai u akuzua nga Lulzim Basha, se ishte shitur tek socialistët.
“E vërteta është që eksponentë dhe individë të këtij kalibri që përmendët ju, kanë qenë kundër PD”, tregon Sherefedin Shehu, ish-kandidat i PD-së në Dibër.
Top Channel