Top Story/ Zgjedhjet e vitit 2016 në Dibër, banorët e Maqellarës flasin për blerjen e votave dhe presionet

15/10/2019 21:55

Ne kemi marrë disa prononcime nga banorët e Maqellarës, e konsideruar si zona kryesore e shitblerjes së votave dhe presioneve politike. Ajo që bën përshtypje, është fakti se thuajse të gjithë qytetarët e pyetur nuk preferojnë të ngatërrohen me çështjen, madje, thonë se nuk kanë informacion mbi përgjimet.

“Jo, jo, jo, nuk i kemi parë gjë, ne merremi me punë”, Jo jo, skemi parë, jemi divorcu për lajme”, “Me thënë të drejtën se kam ndjekur, se skam qenë këtu te shtëpia”, – thonë banorët.

Top Story i pyeti drejtë për drejtë dibranët, nëse atyre u janë ofruar para në këmbim të votës në zgjedhjet e shtatorit të vitit 2016.

“Nuk blihem me pare se jam njeri që sblihem me pare”, “Mua s’më ka bërë njeri këshu gjërash, flas për veten time, mund të ketë po mua për vete jo”, “Jo mo cfarë paresh, stë jep kush para për votat”, thonë banorët

Qytetarët nuk e përjashtojnë si mundësi, por asnjë nuk pranon që të ketë pasur ofertë. Edhe vetë ish-ministri Gjiknuri, tregohet i sinqertë kur thotë se tentativat për blerje votash përherë kanë ekzistuar nëpër fushata, por kurrësesi nuk është një fenomen i orkestruar në nivele të larta qeverisëse.

Personalisht edhe unë mund të kem pasur në shumë fushata njerëz që mund të kenë ardhur e të thonë që kam ca vota, përherë ua kam thënë sjemi për këtë gjë, shko diku tjetër ku ti blejnë. Në këtë pikpamje nuk jam i sigurt të them ka pasur apo jo, por një gjë e them me bindje që ska qenë ky fenomen”, thotë Damian Gjiknuri, Ish – Kordinator i PS-së në Dibër

Ka nga ata qytetarë, që thonë se vota blejnë të gjitha forcat politike, dhe fitues është ai që jep ofertën më të lartë.

“Për fushatë, blejnë votat edhe ikin. Po të gjithë,  o të gjithë çfarë vetëm një?” “Për të blerë kanë blerë sipas sasisë së parasë, kush ka pas paranë e ka blerë, edhe ai tjetri ka blerë mos kujto se ska blerë. JO se jam i krahut majtë, jam i krahut të djathtë, jo se jam anëtar, simpatizant”, tregojnë banorët.

Është fakt që në fushatë janë angazhuar nga të gjitha palët personazhe me të kaluar të errët, por askush nuk ka folur me emra. I vetmi emër është ai i Ymer Lalës që akuzohet nga opozita, por ky i fundit nuk ka qenë kurrë person në kërkim.

Madje, siç treguam edhe në fillim të dokumentarit, vetë eksponentë të opozitës kanë kontakte të vazhdueshme me Ymer Lalën.

Edhe banorët dibranë, thonë se Lala ka ushtruar influencën e tij në Dibër për të mbledhur vota, por jo presion.

“Jo, jo, jo, ska punë presioni, ata e dinë vetë ku e futin votën”, “Jo, jo, jo, as presione, nuk kemi pas as presion asgjë”, “Jo, në Dibër smundesh, ti bësh presione”, “Ka ik koha e presioneve më, ka 30 vjet”, tregojnë banorët.

Top Channel