Por në fushatën zgjedhore nuk mungoi as dhuna fizike. Në 9 shtator, në fshatin Pilafe, u dhunua administratori i njësisë Tomin, Nuri Meda, përfaqësues i Partisë Socialiste. Demokratët e cilësuan rastin si “reagim të qytetarëve ndaj një pjesëtari të grupit që blinte vota”.
“Më kanë njoftuar, kryetari i PS të rrethit, thotë Nuri thotë kam të dhëna që në fshatin Pilafe, krahu i djathtë po shpërndan lekë”, tregon Nuri Meda, Administrator i Njësisë Tomin.
Nuriu thotë se kishte njoftuar edhe grupin e gatshëm që kishte mbërritur në vendin në fjalë.
“Kam ardhur në këtë fshat dhe në këtë vend kam gjetur vetëm 2-3 vetë, pse ke ardhur më pyetën. Erdha si kryetar njësie, kryetar partie të shoh po ktu s’paska asnjë problem, edhe mund të largohem, natën e mirë ju thashë”, tregon Nuri Meda, Administrator i Njësisë Tomin.
Meda, ishte një prej personave që Partia Demokratike kishte kallëzuar penalisht për blerje votash. Prezenca e policisë duket se ka acaruar personat me të cilët Nuriu komunikoi.
“Këtu mbrapa meje kan ardhur 50-60 vetë, njihja vetëm një nga Brezhdani, Dritan Selishta, një Agron Kuliçi, ca të tjerë. Dhe ju thash mos ndodh gjë. Dritani, më ka gjuajt dhe në këtë moment turma e njerëzve më kanë rrëzuar edhe ky më ka kafshuar gishtin, më ka ngelur sakat gishti”, tregon Nuri Meda, Administrator i Njësisë Tomin.
Policia shoqëroi disa persona për ngjarjen por askush nuk qëndroi prapa hekurave. Gjatë natës, duke gdhirë dita e zgjedhjeve, ndodh një tjetër incident. Ish-drejtori rajonal i Tatimeve Dionis Imeraj, aktualisht kryebashkiak i Dibrës, denoncon ish-deputetin Flamur Noka se e ka kërcënuar me armë.
“Flamur Noka nuk ka prekur armë me dorë që nga shkolla e mesme kur bënim zbor”, pohon Flamur Noka, ish-deputet i PD.
Policia raportoi aso kohe se u vu në ndjekje të mjetit tip Audi Q7 me targa AA 007 JF, ku ndodhej deputeti me dy persona të tjerë, por ata nuk iu përgjigjën urdhrit për të ndaluar.
“Padiskutim kam qenë unë deputet, po nuk kishte asnjë të drejtë policia të më dalë si banditë rrugës natën me maska të më ndalojë, isha vetë unë, nuk kam pas armë se po të kisha armë mund ti kisha qëlluar. Mendova se ishin banditë që më kishin zënë pritë”, pohon Flamur Noka, ish-deputet i PD.
Pra, vetë ish deputeti Noka e pranon që nuk i është bindur urdhëri të policisë për të ndaluar makinën. Po atë natë, në Maqellarë ndodh një tjetër incident. Sërish, në qendër të akuzave do të vihej Flamur Noka.
“Më vijnë informacione se Arben Keshi me një sasi të amdhe parash ishte vendosur në një hotel zonës e po vinte për tu futur në Maqellarë, për ti shpërndarë dhe gjetëm një moment për ta ndaluar”, pohon Flamur Noka, ish-deputet i PD.
Nga gjithë rrëfimet, duket se demokratët kishin planifikuar të vepronin vetë, qoftë edhe me dhunë, pasi siç thonë ata makineria e shtetit ishte e përlyer e gjitha në shitblerjen e votës.
“Disa qytetarë shfrynë dufin te një bashkëpunëtor i tij që ishte edhe ai një nga sekserët pastaj unë u aforva dhe nuk e lejova të vazhdonte sherri”, pohon Flamur Noka, ish-deputet i PD.
“PD ishte ajo që thoshte qytetarët kanë arrestuar qytetarë që shpërndanin para, ku janë këta? Fizikisht të paktën t’ja dorëzonin prokurorisë që e kishin po të tyre”, tregon Damian Gjiknuri, ish-koordinator i PS-së në Dibër.
Top Channel