Rishfaqet racizmi në futbollin evropian.

Këtë radhë episodet e shëmtuara u panë në sfidën kualifikuese të Euro 2020 mes Bullgarisë dhe Anglisë, sfidë e cila u ndërpre për disa herë gjatë pjesës së parë për shkak të koreve raciste që u dëgjuan në stadiumin e Sofjes në drejtim të futbollistëve me ngjyrë të përfaqësueses angleze, ndërkohë që pati edhe momente kur u vunë re edhe përshëndetje raciste.

Sikur të mos mjaftonte kjo, por përpara fillimit të ndeshjes pati edhe një viktimë teksa një tifoz anglez mbeti i vrarë.

Në pushimin e kësaj sfide të mbyllur 6-0 për Tre Luanët, kapiteni i Bullgarisë Popov iu drejtua tifozëve duke i kërkuar ndërprerjen e koreve raciste, ndërkohë që surprizën e bëri trajneri i përfaqësueses bullgare Kasimir Balakov, teksa deklaroi se nuk kishte dëgjuar kore raciste dhe se tifozët nuk ishin të kënaqur me lojën e skuadrës. Madje Balakov shkoi edhe më tej teksa bëri fajtorë tifozët angleze.

Por krejtësisht ndryshe mendon kryeministri i Bullgarisë Boyko Borisov, i cili reagoi shumë ashpër ndaj kësaj ngjarjeje shumë të shëmtuar. Shefi i qeverisë bullgare kërkoi dorëheqjen e Presidentit të Federatës Bullgare të Futbiollit, Boris Mikhailov dhe shtoi se do të ngrijë të gjitha raportet me institucionin më të lartë të futbollit në vend, madje do të bllokojë edhe akordimin e fondeve për të deri se Mikhailov të largohet nga detyra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA