Kriza politike/ Kryeministri italian: Mazhoranca t’i ofrojë platformë opozitës, dialogu të zhvillohet pa kushte

15/10/2019 17:11

Për Italinë, kriza politike në Shqipëri duhet të zgjidhet nga aktorët e brendshëm. Në konferencën e përbashkët me homologun Edi Rama në Tiranë, kryeministri Guiseppe Conte kërkoi nga mazhoranca që t’i ofrojë opozitës një platformë për dialog konstruktiv. Por, theksoi Conte, dialogu duhet të zhvillohet pa kushte.

“Vëmendja jonë është e përqëndruar kryesisht në aftësinë e Shqipërisë për të zgjidhur krizën e saj politike. Kjo do të përbëjë një pjekuri të saj institucionale. Është e rëndësishme që mazhoranca t’i propozojë opozitës një platformë për të qasur një dialog më konstruktiv dhe ky dialog të zhvillohet pa kushte”, u shpreh kryeministri Italian.

Sa i përket hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, Conte theksoi se Italia e mbështet këtë proces me Shqipërinë dhe në takimin e së premtes në Këshillin Evropian do të kërkojë një vendim pozitiv për vendin tonë.

“Konfirmova se Italia e mbështet negociatat me Shqipërinë dhe ditën e premte do e mbështes këtë pozicion. Jam i bindur se çelja e negociatave është instrumenti më i mirë për përparimin e Shqipërisë. Hyrja e Ballkanit Perëndimor në BE është një objektiv thelbësor sa i përket integrimit”, tha Conte.

“Ne do të bëjmë çfarë është e mundur për të arritur këtë rezultat, për të arritur fillimin formal të negociatave”, shtoi ai.

Kryeministri italian tha se reformat të cilat i kërkohen Shqipërisë duhet të mbështeten nga të gjithë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA