“Nëse Partia Demokratike dëshiron ta bëjë këtë në një format tjetër dhe të pasurojë diskutimet – dhe unë e di që ata kanë ekspertë të shkëlqyer – ne do të ishim të gatshëm t’i ndihmonim”. Ky është qëndrimi i ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt, pas kërkesës së PD-së për ngritjen e një strukture të re me ekspertë të OSBE-së, Bashkimit Evropian, dhe SHBA, duke mos njohur komisionin aktual bipartizan të reformës.
Në intervistën për Zërin e Amerikës, Borchardt është shprehur se edhe partnerët e tjerë të Shqipërisë do të ishin të gatshëm të kontribuonin. Gjithsesi, ambasadori ka theksuar se vendimi përfundimtar për reformën zgjedhore duhet të merret me shumicë të cilësuar në Parlament.
“Nuk mund të flas në emër të partnerëve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo të Bashkimit Evropian, por besoj se edhe ata do të ishin të gatshëm të kontribuonin në këtë debat. Di që edhe partnerë të tjerë të Shqipërisë dhe miqtë tanë të Këshillit të Evropës kanë punuar me strukturat shqiptare për financimin e partive, për shembull. Por, sa i takon vendimarrjes, kushtetuta e Shqipërisë e përcakton shumë qartë: duhet shumicë e cilësuar në Parlament”, ka deklaruar Borchardt.
Më tej, ambasadori ka shtuar: “Komisioni i posaçëm i ka bërë ftesë Partisë Demokratike, por nëse ata nuk duan të marrin pjesë në komision, unë do t’i nxitja të jepnin kontributin e tyre në diskutime. Nëse Partia Demokratike dëshiron ta bëjë këtë në një format tjetër dhe të pasurojë diskutimet – dhe unë e di që ata kanë ekspertë të shkëlqyer – ne do të ishim të gatshëm t’i ndihmonim. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë një kornizë për këto diskutime. Por vendimi merret nga Shqipëria dhe vendimet merren brenda kornizës kushtetuese. Se si mund të diskutohen këto vendime përpara se të merren, kjo është çështje tjetër.”
Në tryezën e thirrur nga OSBE disa javë më parë, Partia Demokratike kërkoi ngritjen e një strukture të re për reformën zgjedhore, ku përfshihen partnerët ndërkombëtar, por mbetet jashtë opozita parlamentare. Ky propozim shkaktoi reagim të ashpër të deputetëve të opozitës.
Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore drejtohet nga Damian Gjiknuri (PS) dhe Rudina Hajdari (opozita parlamentare).
Top Channel