Përçarja te demokratët e Parlamentit/ Lita nxjerr firmat, mohon Valteri: Nuk ka shkarkim të kryetares

14/10/2019 20:27

Grupi Parlamentar Demokrat është përçarë dhe shkak është bërë pozicioni i kryetarit, që zyrtarisht mbahet ende nga Rudina Hajdari.

Gjatë pasdites pati reagime nga deputeti Korab Lita dhe deputetja Rudina Hajdari, që pretendonin të dy se ishin në krye të këtij grupi.

Por në mbrëmje çarja është thelluar edhe më shumë, pasi Lita ka nxjerrë firmat e anëtarëve të grupit parlamentar që, sipas tij, kanë firmosur për kryetarin e ri.

“Një falenderim të veçantë për kolegët e mi të cilët verdiktin e tyre në lidhje me kryesimin e Grupit e dhanë jo vetëm me votë por edhe me firmë”, shkruan Lita.

Ne mesin e firmëtarëve rezulton edhe deputeti Halit Valteri, i cili është njëkohësisht nënkryetari grupit. Por nëpërmjet një letre që i ka dërguar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, Valteri thekson se është tërhequr nga firma dhe se nuk ka një vendim për shkarkimin e Rudina Hajdarit.

“Për të gjithë ata të cilët janë shqetësuar nga një status që qarkulloi në rrjetet sociale, dua t’i shpjegoj, se Parlamenti është institucion dhe si i tillë funksionon me shkresa, jo me statuse FB-je”, shkruan ndër të tjera Valteri.

Reagimi i plotë i Halit Valterit

Në gojë të të marrit gjejmë farën e kryelartësisë, thoshte nënokja ime, por të urtët e ruajnë gjithmonë gjuhën.

Por të marrin s’ke nga ta kapësh, është i paparashikueshëm! Ti e hekuros në një krahë, ai të rrudhoset në krahë tjetër.

I marri bëhet kryetar vendi, kont, dukë, pse jo edhe mbret… vetëm për pak sekonda, derisa mbreti del cullak.

Gjithsesi në sqarim të opinionit publik, marrë përgjegjësinë si nënkryetar i grupit parlamentar të deklaroj, se ne kryetar të marrë nuk kemi, e as që do të kemi ndonjëherë.

E nëse ky vendim nuk u pëlqen të marrëve, që gjejnë lloj lloj metodash për tu faktorizuar për disa minuta, me lumturimë të thellë u them, se nuk ka asnjë shkarkim apo zëvendësim të kryetarit të grupit parlamentar.

Klithjet e fundit për të devijuar kauzën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, apo britmat kundër Reformës në Drejtësi, në “dobi” të disa aktorëve të tjerë brenda apo jashtë Parlamentit, nuk mund të pastrojnë apo mbrojnë kurrësesi imazhin e grupit të kolltukofagëve 30 vjeçar, që vazhdojnë e nginjen në plagë të infektuara, duke bërë pazare në kurriz të Shqipërisë.

Për sqarim të kolltukofagëve, Grupi Parlamentar Demokrat ka një kauzë dhe ajo është më e SHENJTË, se secili emër që mund ta drejtojë këtë grup.

Patjetër që ka debat konstruktiv brenda grupit, por kurrë s’do të pranojmë të bëhemi peng të askujt, që u pasurua duke varfëruar, e që sot kërkon të mbrojë milionat me votat e atyre që i larguan.

Për të gjithë ata të cilët janë shqetësuar nga një status që qarkulloi në rrjetet sociale, dua t’i shpjegoj, se parlamenti është institucion dhe si i tillë funksionon me shkresa, jo me statuse FB-je!

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA