Praga është ndriçuar mbrëmjen e të enjtes me një pafundësi ngjyrash, në festivalin e dritave që ka hyrë kështu në edicionin e shtatë të tij.
Video projektime dhe arti dixhital ofruan një spektakël të rrallë, fokusuar sidoqoftë tek revolucioni i kadifenjtë i 1989, që rrëzoi regjimin totalitar komunist që zgjati për katër dekada në ish-cekosllovaki. Katër vjet më pas, vendi u nda në Republikën Çeke dhe Sllovaki.
Artistët që prezantuan punët e tyre në festival, u kthyen kështu në memorien e tyre në 1989, duke ngritur pyetjen, a janë njerëzit të gatshëm për revolucion tani, në një kohë kur njerëzimi po përjeton shumë zemërim dhe protesta.
“Këtë vit, festivali është përqendruar në temën e 30 vjetorit të revolucionit të kadifenjtë nga këndvështrimi social dhe teknologjik dhe ne po përpiqemi të zbulojmë një revolucion në art përmes artistëve dhe veprave të tyre”- tha Martin Posta, drejtor i festivalit.
Edicioni i shtatë i festivalit nisi të enjten dhe ofron 18 instalacione në qendrën historike të Pragës, me më shumë se gjysmë milioni shikues që pritet ta ndjekin atë gjatë katër ditëve. Artistët pjesmarrës vijnë edhe nga vende të tjera të botës si Turqia, Ukraina, Rusia etj.
Top Channel