Pas sulmit mbi një sinagogë në Hale shumë qytetarë në Gjermani demonstrojnë në shenjë solidariteti me komunitetin hebraik. Me ta edhe kancelarja Merkel. Paralajmërimet drejtohen kundër antisemitizmit në rritje në Europë.

Nëpërmjet rrjeteve sociale shumë njerëz u organizuan pas krimit të kryer në Saksoni, për të treguar solidarizimin e tyre duke u grumbulluar para sinagogave. Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel u bashkua me ta dhe vizitoi Sinagogën e Re në rrugën Oranienburg, në Berlin. Merkel foli me rabinen Gesa Ederberg dhe kantoren hebreje, Avitall Gerstetter.

Kancelari gjerman Frank-Walter Steinmeier bëri thirrje për solidaritet me qytetarët hebrenj. Në festimet e organizuara për 30 vjetorin e Revolucionit paqësor të Lajpcigut, Steinmeier tha se “një sulm i tillë mbi një sinagogë të mbushur plot ka qenë e paimagjinueshme në Gjermani”. Kjo ditë gëzimi u kthye në ditë vuajtjeje.

Kongresi Botëror Hebre kërkon vepra në vend të fjalëve

Kongresi Botëror Hebre (WJC) kërkoi mbrojtje më të mirë për institucionet hebreje në Gjermani. “Për fat të keq ka ardhur koha që të rritet siguria në të gjitha shtëpitë hebreje të zotit dhe në institucionet e tjera hebreje nëpërmjet forcave shtetërore të sigurisë,” deklaroi kryetari i WJC, Ronald Lauder. Nevojiten “vepra në vend të fjalëve” tha ai.

Të prekur folën edhe ipeshkvët katolikë dhe evangjelistë, të cilët shprehën solidariteti me hebrenjtë në Gjermani. Papa Françesku kujtoi viktimat e atentatit, bëri të ditur zyra e shtypit e Vatikanit.

Juncker i bën thirrje europianëve të veprojnë

Presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker i drejtoi një apel publikut europian. “Antisemitizmi në rritje kërkon nga të gjithë europianët që të veprojnë,” shkruajti ai në twitter. Ai foli për shokun që përjetoi kur mori vesh lajmin.
Parlamenti Europian mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave. Sekretari i Përgjithëm i OKB, António Guterres e quajti aktin “një demostrim tjetër tragjik të antisemitizmit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA