Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 1-0 me Turqinë në përballjen e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2020 pas një loje emocionuese që u zhvlerësua nga një gabim në fundin e sfidës. Në një ndeshje të luftuar fort në praninë e 48 mijë spektatorëve në impiantin Shykry Saraçollu në Stamboll, kuqezinjtë u ndëshkuan nga gafa e portierit Strakosha dhe tani kualifikimi është një utopi.
Në një impiant të blinduar nga forcat e policisë dhe stjuardët e angazhuar për sfidën, loja nisi më e tensionuar seç duhet dhe arbitri nuk i kurseu kartonat.
Burak Jillmaz dhe Hakan Çallhanollu ofruan një rrezik konstant për portën e Strakoshës por mbrojtja në një ditë të mirë nuk lejoi prekjen e rrjetës. Në skajin tjetër, Bare pretendoi për penallti ndërsa Rei Manaj mund të kishte shënuar në një devijim me fat, por që u neutralizua nga portieri Mert. 5 kartona të verdhjë dhe asnjë gol ishte bilanci deri në pushim.
Në rinisjen e lojës Roshi u hodh në fushë si një xhol për të shtuar manovrën sulmuese dhe Shqipëria zbukuroi lojën e saj. inkursionet e numrit 21 gjithsesi mbetën në kufijtë e zonës, pa mundur të kthehen në gol. Ndërkohë Turqia provoi me Tufan dhe Burak Jillmaz, por në një rast pritja e Strakoshës dhe më pas ndërhyrja vendimtare e Veselit, evituan golin e vendasve. Dy rastet më flagrante të sfidës ishin çerek ore nga fundi në këmbët e Manajt, më lehtë për të dërguar sferën në rrjetë sesa jashtë, por shifrat nuk ndryshuan. Ndëshkimi i pamerituar erdhi në fund nga Xhenk Tosun kur dalja e gabuar e Strakoshës solli dhe golin e turqve, në një mënyrë dhe kohë që as e kishin shpresuar. Përfundimisht 1-0, shumë lojë por zero pikë në transfertën e hidhur të Stambollit.
Mbrojtësi Elseid Hysaj u detyrua ta shohë ndeshjen nga stoli, për shkak të dëmtimit, por premtoi rikthim të shpejtë mes kuqezinjve.
Grupi H kryesohet nga Turqia dhe Franca me nag 18 pikë, Islanda është e treta ndërsa Shqipëria është në vendin e 4 me 9 pikë.
Top Channel