Vetëm 24 orë para publikimit të Opinionit të Komisionit të Venecias, Presidenti Meta ka reflektuar një qetësi dhe indiferencë totale, duke përsëritur se “Komisioni i Venecias ka zero rëndësi për mua”.

Nga studio e emisionit “Open” të gazetares Eni Vasili në Top Channel, Kreu i Shtetit është shprehur ndër të tjera se “Për mua ka rëndësi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Vendimi apo mendimi i Komisionit të Venecias ka të bëjë me integritetin e Komisionit të Venecias, nuk ka të bëjë me integritetin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe me raportin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Kushtetutën e vendit tim. Kaq!”

Jo pa doza të forta ironie, Meta nuk ka ngurruar të shtojë edhe se “Mendjen e ka tek kombëtarja”.

Gazetarja: Prisni ndonjë surprizë nesër? Ndoshta ju bind nesër dhe jepni dorëheqjen?

Presidenti Meta: Nesër e kam mendjen të Kombëtarja, ju mbajeni të Venecia.

Gazetarja: Nëse Venecia thotë e ka shkelur në këtë nen dhe në këtë paragraf?

Presidenti Meta: Nuk ekziston një shqetësim i tillë, sepseunë e di Kushtetutën shumë herë më mirë se sa Venecia. Unë kam vetëm një shqetësim për nesër, Kombëtarja. Jemi të shqetësuar se na është dëmtuar Hysaj, shpresojmë ta kompensojmë këtë mungesë. Do të kisha shkuar në Stamboll, por nuk kishte bileta. Dje u kujtova dhe nuk kishte bileta.

Gazetarja: Dhe ju nuk jeni nga ata Presidentë, të cilët marrin çarter për të shkuar për parë një ndeshje?

Presidenti Meta: Jo, atë nuk e bëj dot. Nuk kam as kohë të shkoj me biçikletë se mund të ikja edhe me biçikletë.

Top Channel