“Sot dhe nesër takime intensive në Qeverinë dhe Parlamentin e Rumanisë”, shkruan kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla në një postim në Facebook.

Ndër të tjera, Balla deklaron se Rumania mbështet fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim mes BE dhe Shqipërisë dhe se Shqipëria do të mirëpriste nga Rumania njohjen e Kosovës.

“Takimi i parë me Zëvendës Kryeministrin-Ministrin e Brendshëm Mihai Fifor dhe me Ministrin e Financave Eugen Teodorovici. Gjatë takimit u vlerësua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy popujve tanë. Rumania mbështet fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim mes BE dhe Shqipërisë.

Si dy vende partnere dhe aleate në NATO, Shqipëria dhe Rumania besojnë fort se dy shtete të konsoliduara në rajon kontribuojnë jo vetëm për paqen dhe sigurine kolektive të tij, por edhe më gjerë, duke promovuar demokraci dhe liri në vende të tjera ku ka konflikte, në bashkëpunim të ngushtë me partnerë strategjikë si SHBA dhe vende të tjera të NATO-s dhe BE-së. Shqipëria do të mirëpriste nga Rumania njohjen e Kosovës, ishte kërkesa jonë në takim.

Nga pikepamja ekonomike, rritja dhe diversifikim i shkëmbimeve tregtare, rritja e investimeve rumune në turizëm, në fushën e prodhimit të energjisë elektrike, ndërtimin e infrastrukturës në energji, industrinë e erës, industrinë kimike, tekstile, agro-biznes, etj, do të jenë prioritete të bashkëpunimit ekonomik dypalësh.

Pasdite do të vijojë takimi me Kryeministren e Rumanisë Viorica Dăncilă kryetare e PSD, si dhe në parlament me drejtues të grupeve parlamentare të opozitës”, shkroi Taulant Balla.

Top Channel