Ish zv-kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri tha në emisionin “Open” në Top Channel se Albin Kurti në postin e kryeministrit do të punojë për popullin e Kosovës.
“Albin Kurti u votua nga populli, por duhet të jem dhe e drejtë me LDK-në, të presim deri në numërimin e votës së fundit. Albini u votua nga populli dhe unë mendoj se do punojë në interes të Kosovës”, deklaroi Tahiri.
Ndërsa kandidatja për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, bëri një lidhje direkte me “Open”.
E pyetur nga moderatorja Eni Vasili nëse e priste këtë rezultat, Mimoza Kusari Lila u shpreh: “Prisnim që fitorja dhe diferenca me LDK-në të ishte më e madhe, por fitorja pritej. Qytetarët nuk mund të vazhdonin më me një qeverisje të korruptuar.”
”Sa është mundësia për kualicion me LDK-në?”, u pyet Kusari Lila.
“Po mundësitë janë të shumta. Për punët e brendshme të LDK-së nuk më takon mua të flas, por duke parë parasysh edhe diskutimet para votimeve gjasat për koalicion janë të shumta”, tha ajo.
E pyetur për Albin Kurti në pozicionin e kryeministrit, Kusari Lila theksoi: “Albin Kurti do të jetë kryeministër i popullit të Kosovës”.
Top Channel