Një javë pasi “Sofat Fest” ngriti siparin në fshatin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës këtë fundjavë u zhvendos në qytetin e Libohovës.
Muzika tradicionale, prodhime tradicionale të zonës, tërhoqën krahas banorëve dhjetëra vizitorë vendas dhe të huaj që vijojnë të prekin pasuritë kulturore dhe natyrore në Jug të Shqipërisë.
Qendra e qytezës poshtë Kalasë, që i kushtohej Shanishasë, motrës së Ali pashë Tepelenës, u gjallërua nga ritmet e valleve tradicionale dhe tingujt e muzikës.
“Festivali edhe në këtë zonë i është kushtuar pasurisë kulturore të jetës rurale, peisazheve, arkitekturës, veshjeve, muzikës dhe ushqimit të kësaj krahine me mjaft vlera”, ka thënë Rubin Beqo, organizator.
Si autoritetet vendore dhe programe të ndryshme po kërkojnë të nxisin kohët e fundit kthimin e vëmendjes nga zonat rurale, të prekura ndjeshëm në këtë rajon nga emigracioni.
Ndonëse këto zona kanë pasuri të mëdha kulturore dhe natyrore, nuk arrijnë të kthehen në destinacione turistike të qëndrueshme për shkak të infrastrukturës jo të mirë rrugore dhe mungesës së shërbimeve turistike.
Top Channel