Rezulton që paratë nuk blejnë vetëm pushime luksoze në Karaibe apo suita përrallore në Quebec.
Ato mund të blejnë edhe rezidencën po ashtu. Ndërkohë që qytetarët britanikë po nxitojnë të marrin pasaporta irlandeze, para Brexitit të pritshëm më 31 tetor, udhëtarët elitarë të botës, nuk shqetësohen të qëndrojnë në radhë në qendrat e emigracionit.
Ata e marrin shtetësinë përmes programeve të investimit, ku investimi në ekonominë e një vendi mund ti garantojë akses tek pasaporta më të fuqishme. Është kjo një industri e diskutueshme por në lulëzim e sipër. Më 4 tetor, edhe Mali i Zi njoftoi se pranonte aplikime, duke lancuar programin e tij të ri.
Vendi ofron 2 mijë aplikime për mundësinë e futjes në xhep të një pasaporte. Kostoja? Aplikantët duhet të investojnë minimumi 274 mijë dollarë në projekte zhvillimi. Ata po ashtu duhet të paguajnë një kuotë prej 100 mijë eurosh për aplikimin që do të financojë rritjen në zonat e pazhvilluara. Zakonisht, aplikojnë shtetas nga vende që kanë mundësi të kufizuara për udhëtim, si Kina, Rusia dhe vendet e lindjes së mesme.
Kompania me qendër në Londër, Henley & Partners, ka përzgjedhur pasaportën japoneze dhe atë të Singaporit si më të dëshiruarat në botë në indeksin e saj për vitin 2019 falë aksesit të lehtë në 190 juridiksione. Për ata që kanë një pasaportë më të pafuqishme, programet e investimit në këmbim të shtetësisë, janë një alternativë e mirë. Koncepti lindi në 1984 kur Shën Kitts dhe Nevis, një vend ishullor në Karaibe, prezantoi programin e parë. Tani, programe të ngjashme ka edhe në vende më të zhvilluara si SHBA, Kanada, Britani etj.
Top Channel