Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të qëndrojë në pritje të vendimit të Gjykatës mbi ankimimin e kandidatit Lulzim Alushaj, që u skualifikua nga gara për postin e prokurorit të përgjithshëm.

Por ndërsa edhe prokurorët janë në pritje se cili do të jetë prokurori i përgjithshëm, i pari me mandat shtatë vjeçar, ata ju drejtuan sërish kutive të votimit për të zgjedhur një anëtar të ri për në KLP, i cili do të jetë një nga 11 votuesit për kreun e ardhshëm të akuzës.

Por edhe pse gara për në KLP ishte mes prokurorëve Vladimir Mara dhe Esmeralda Cami, në fakt ajo ishte një gare edhe mes kandidatëve për prokurorë të përgjithshëm që gjendeshin në të njëjtën sallë, por ju shmangën njëri tjetrit.

Esmeralda Cami fitoi përballë rivalit me 133 vota. Ndërsa prokurori Mara mori 109 vota nga kolegët.

Por si në çdo votim nuk munguan edhe votat e pavlefshme që ishin 11 të tilla, pasi prokurorët ose kishin votuar për të dy ose e kishin lënë bosh fletën e votimit. Tashmë kjo garë do të zhvendoset në KLP për postin e kryeprokurorit.

Anila Hoxha

Top Channel