Informacioni sekret i SHISH për djegien e godinës së parlamenti në 8 qershor, përmendur për herë të parë nga presidenti Ilir Meta, do të propozohet të deklasifikohet.

Kjo shkresë me mbishkrimin sekret tashmë i ka mbërritur Komisionit Hetimor parlamentar.

Një prej anëtarëve të këtij komisioni i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se ky dokument që përbënte bazën kryesore mbrojtjes të presidentit kur ai dëshmoi, duhet ti tregohet publikut.

“Dokumenti nuk e cenon sigurinë kombëtare apo të ndikojë në ndonjë hetim proaktiv të SHISH apo prokurorisë”, pohoi njëri nga anëtarët në komisionit hetimor, në kushtet e anonimatit.

Në të tilla kushte theksoi i njëjti burim, shqiptarët duhet të njihen me këtë informacion, të përdorur nga presidenti për të anuluar të drejtën e tyre për të votuar.

Arritja deri në deklasifikimin e këtij informacioni sekret nuk do të jetë një rrugë e lehtë për parlamentarët shqiptarë.

Mungojnë precedentët në të shkuarën, e deklasifikimit të dokumenteve nga komisionet hetimore parlamentare.

Top Channel dy javë më parë ekskluzivisht publikoi disa të dhëna të përmbajtjes së këtij dokumenti ku bëhet fjalë për ardhjen e disa mercenarëve nga Kosova që do të kryenin djegien e parlamentit.

Top Channel