Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se është “qesharake” të menduarit se Moska do të tentojë të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht pse SHBA-ja ka vërtetuar se kjo gjë ka ndodhur më 2016.
Putin ka thënë më 2 tetor në Moskë në një konferencë për energjinë se Këshilltari Special në SHBA, Robert Mueller ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016 dhe ka shprehur shqetësim se “ne mund të ndërhyjmë sërish në të ardhmen”.
“Kjo është qesharake. Do të ishte komike nëse nuk do ishte e dhimbshme”.
Në një raport të publikuar në muajin prill, Mueller ka vërtetuar përfundimet e agjencive amerikane të Inteligjencës se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje, mirëpo nuk ka pasur të dhëna të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat se presidenti amerikan, Donald Trump dhe ekipi i tij kanë kryer kime duke bashkëpunuar me zyrtarë rusë.
Mueller, bashkë me disa ligjvënës demokratë, republikanë dhe zyrtarë të sigurisë kanë paralajmëruar se Rusia është duke vazhduar të ndërhyjë në procesin politik të SHBA-së dhe do të përgatitet për ta bërë të njëjtën gjë edhe më 2020.
Putin po ashtu ka thënë se nuk do t’i kërkojë perëndimit që t’i heqë sanksionet që i ka vënë ndaj Moskës, në përgjigje të agresionit të kësaj të fundit kundër Ukrainës dhe për ndëërhyrje në proceset e huaja zgjedhore.
“Jo. Kurrë nuk i kam kërkuar askujt ta bëjë atë dhe nuk do të kërkoj kurrë”, ka thënë Putin.
Putin ka thënë se beson që nuk ka vlerë në të pyeturit për heqje të sanksioneve, sepse një gjë e tillë duhet të ndodhë vetëm kur të dyja palët të kuptojnë përfitimet e ktëtyre masave dhe jo vetëm pse dikush pyet./REL
Top Channel