Në 3 tetor, në ditën kombëtare të Gjermanisë, apo ditën e unitetit siç njihet ndryshe, mendimet shkojnë te muri i Berlinit.

Barriera qe ndau fizikisht dhe psikologjikisht Berlinin për gati tre dekada, është kthyer në simbolin e patjetërsueshëm të ndarjes së vetë Gjermanisë, mungesës së lirisë në një regjim komunist, luftës së ftohtë dhe hendekut të thellë mes bllokut sovjetik e atij perëndimor, kapitalist e demokratik.

E ndërsa rënia e këtij muri i afrohet 30-vjetorit të saj, Gjermania sot kremton ribashkimin në 1990-tën kur Republika Federale e saj apo Gjermania perëndimore dhe Republika Demokratike, apo ajo lindore, u bënë prapë një, e kështu, për të parën herë që prej 1945-sës, pati sërish një shtet të vetëm gjerman. Kjo është arsyeja përse kjo ditë kremtimesh nuk i referohet ribashkimit, por unitetit të vendit.

“Ribashkimi ka qenë dhe mbetet një proces në këtë vend, dhe kërkon kohë”, thotë Deike Potzel, ambasadore e Gjermanisë në Irlandë.

Në të gjithë vendin njerëzit do të kremtojnë ribashkimin e Gjermanisë lindore dhe asaj perëndimore. Gjysmë milioni njerëz pritet të festojnë vetëm në Kiel, ku do të mbahen sivjet ceremonitë kombëtare, nën moton zyrtare: “Guximi bashkon”. Kjo është dhe një arsye përse për Gjermaninë sot, siç thekson ambasadorja, një Bashkim Evropian i fuqishëm dhe në unitet të plotë mbetet përgjigja për shumë sfida që shtrihen përpara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA