Një hetim i the Guardian tregon se shumë prej njerëzve që i drejtohen vendit të pasur me shpresën e një pune, përballen me atë që e përditshmja britanike e quan “stresi i nxehtësisë“.
Këtë verë, emigrantët u munduan nga temperatura që mbërrinin deri në 45 gradë celcius, dhe iu duhej të punonin gati 10 orë në ditë në kushte të tilla, ndërsa bumi i ndërtimeve në këtë vend ka mbërritur kulmin përpara Kupës së Botës 2022.
Autoritetet e Katarit, ashtu si dhe vende të tjera të Gjirit, janë zotuar t`i mbrojnë punëtorët nga dëmtimet që lidhen me nxehtësinë përmes një rregulloreje që ndalon punën në ambientet e jashtme mes orës 11:30 dhe 3 të drekës. Ky ndalim duhet të hynte në fuqi nga mesi i qershorit deri në gusht.
Megjithatë, the Guardian thotë se masa në fjale nuk i mban punëtorët të sigurt. Në orët jashtë kësaj fashe të përcaktuar nga rregullorja, kushdo që punon në në ambiente të hapura mbetet i ekspozuar ndaj niveleve potencialisht fatale të nxehtësisë gjatë periudhës qershor-shtator.
Kardiologët shprehen se ky lloj ekspozimi po çon në një numër të madh vdekjesh çdo vit.
Top Channel