Partia Demokratike i ka kërkuar prokurorisë të nisë hetimet për kryeministrin Edi Rama, për të cilin thotë se ka paguar 80 mijë dollar për një foto me ish-presidentin e SHBA-së, Barack Obama, në vitin 2012.

Kërkesa e PD-së i është dërguar prokurorisë pas vendimit të gjykatës amerikane për të dënuar me burg William Argeros, shtetas amerikan, që ka paguar 80 mijë usd, për të cilat demokratët thonë se janë paguar për llogari të Edi Ramës.

“Këtë e pohoi në gjyq avokati i Ëilliam Argeros, të cilin Zëri i Amerikës dhe media të tjera ndërkombëtare e citojnë të ketë thënë se “klienti i tij ka vepruar në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama. Avokati Azzarello tha se kandidati ishte Edi Rama, i cili aktualisht është kryeministër i Shqipërisë”, thuhet në reagimin e PD-së.

Më tej, në reagim theksohet: “Shuma prej 80 mijë USD vjen nga një burim i paligjshëm dhe nuk është deklaruar as nga Edi Rama dhe as nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Prokuroria shqiptare, bazuar në këtë rrethanë të re, të bërë publike nga “Zëri i Amerikës”, ka detyrimin që të nisë menjëherë procedimin penal, për t’i dhënë përgjigje pyetjeve për burimin e financimit prej 80 mijë usd që Edi Rama ka paguar dhe nuk i ka deklaruar.”

Top Channel