Presidenti i SHBA Donald Trump u shpreh të hënën me zemërim rreth hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve që synon ngritjen e akuzave për shkarkimin e tij, ndërkohë që udhëheqësi republikan i Senatit deklaroi se ai nuk do të kishte “zgjedhje tjetër” përveçse të lejojë hapjen e një gjyqi në Senat nëse Dhoma vendos të nisë procedurat.
Senatori Mitch McConnell duket se u dha fund hamendjeve se ai mund të përdorë pozitën e tij për të shmangur një gjyq në senat, duke minuar çdo përpjekje të Dhomës së Përfaqësuesve për shkarkimin e presidentit.
Republikanët kontrollojnë Senatin dhe përgjithësisht kanë heshtur rreth aludimeve apo përpjekjeve për të hetuar presidentin, i cili i përket partisë së tyre.
Dhoma e Përfaqësuesve nisi javën e kaluar një hetim me synimin për ta shkarkuar presidentin Trump, pas raportit të një informatori, i cili ngriti shqetësimin se presidenti ishte përpjekur të shfrytëzonte dhënien e rreth 400 milion dollarëve ndihmë në këmbim të një favori politik nga udhëheqësi i Ukrainës.
Tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve thanë se i kishin dërguar kërkesa ligjore për dorëzim dokumentesh avokatit të zotit Trump, Rudy Giuliani.
Giuliani, ish-Kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut, ka thënë në televizion se i kishte kërkuar qeverisë së Ukrainës të “verë në shënjestër” ish-nënpresidentin Joe Biden, kandidat demokrat, që synon të rivalizojë me Presidentin Trump në zgjedhjet e vitit 2020.
Nëse Dhoma e Përfaqësuesve miraton ngritjen e akuzave, të njohura si “nenet e shkarkimit ndaj një presidenti”, atëherë procesi kalon në Senat, i cili zhvillon një gjyq.
“Nuk do të kisha zgjedhje tjetër përveçse ta pranoj çështjen,” i tha senatori McConnell rrjetit televiziv CNBC.
“Sipas rregullave të Senatit, nga ne kërkohet që ta pranojmë çështjen, nëse Dhoma e Përfaqësuesve i hyn asaj rruge. Rregullat e gjykimit në Senat janë shumë të qarta,” tha zoti McConnell.
Presidenti Trump e kaloi një pjesë të ditës duke ia drejtuar zemërimin e tij ligjvënësit demokrat që drejton hetimin, duke thënë në Twitter se kongresmeni Adam Schiff, kreu i komisionit të zbulimit, duhet të arrestohet për “tradhti”.
Më vonë, duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump e akuzoi ligjvënësin Schiff për shtrembërimin e bisedës së tij të 25 korrikut me Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy.
“Adam Schiff bëri një mashtrim dhe e lexoi atë në Kongres, e lexoi përpara popullit të Shteteve të Bashkuara dhe kjo është një poshtërsi”, tha Presidenti Trump.
Në komentet e tij, zoti Schiff tha se biseda e presidentit Trump me presidentin ukrainas Zelenskiy “i ngjan një episodi klasik të krimit të organizuar”. Ai gjithashtu ironizoi komentet e bëra nga Presidenti Trump në Twitter.
Dëshmitarë të ndryshëm do të japin dëshmi këtë javë në Dhomën e Përfaqësuesve, lidhur me kërkesën e Presidentit Trump që Ukraina të hetojë kandidatin demokrat Joe Biden.
“Ju deklaruat së fundmi se jeni në posedim të provave – në formën e mesazheve tekst, regjistrimeve telefonike dhe komunikimeve të tjera – gjë që tregon se nuk keni vepruar i vetëm dhe që zyrtarë të tjerë të administratës Trump mund të kenë qenë të përfshirë në këtë skemë,” i shkruanin zotit Giuliani kryetarët e tre komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve. Atij i është dhënë kohë të përgjigjet deri në 15 tetor./VOA
Top Channel