Një familje shqiptare shpenzon mesatarisht 76 mijë lekë në muaj për konsum.

Por 44 përqind e këtij buxheti ose rreth 33 mijë e 500 lekë në muaj shkojnë vetëm për ushqime. Të dhënat zyrtare nga instituti i statistikave tregojnë se konsumi i familjeve shqiptare mbetet mirëfilltazi mbijetese, teksa gati gjysma e të ardhurave shkojnë vetëm për të plotësuar nevojat bazë të të ushqyerit. Kjo është norma më e lartë në Evropë.

Sipas Eurostat, në vendet e Bashkimit Evropian ushqimet i marrin familjeve vetëm 12.2 përqind të buxhetit ose gati 4 herë më pak se sa në Shqipëri. Madje në vende të caktuara si Britania, Gjermani apo dhe Austria familjet shpenzojnë edhe më pak se 10 për qind të buxhetit për t’u ushqyer.

Pesha e madhe e të ardhurave që familjet shqiptare detyrohen të shpenzojnë për mbijetesë është rezultat i dy faktorëve; çmimeve të larta të ushqimeve në vend, por mbi të gjitha nivelit të ulët të të ardhurave. Sa më i varfër të jetë një vend, aq më e lartë është pjesa e buxhetit që shkon për konsum mbijetese, pasi këto shpenzime janë të detyrueshme.

Por përtej faktit se ushqimet ju marrin familjeve shqiptare 4 herë më shumë të shpenzime se sa vendet e BE, të dhënat tregojnë se kjo barrë po ulet shumë ngadalë. Sipas INSTAT, në 11 vitet e fundit, pesha e shpenzimeve që zënë ushqimet në buxhetin e familjeve shqiptare është ulur me vetëm 3.6 pikë përqindje, nga 47.6 përqind që ishte në vitin 2007 në 44 për qind vitin e kaluar. Madje në 3 qarqe të vendit si Durrës, Elbasan dhe Vlorë ushqimet marrin më shumë se gjysmën e buxhetit, një tregues tipik për vendet në varfëri të thellë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA