Për muaj të tërë, demokratët ishin treguar të kujdesshëm; por përballë akuzave të reja kundër presidentit republikan Dondad Trump, rivalët politikë zgjodhën të mos qëndronin më duarkryq. Atë që ndoshta shumë në radhët e tyre do të kishin dashur ta dëgjonin me kohë, kryetarja e dhomës së përfaqësuesve, Nancy Pelosi e deklaroi në 24 shtator. Politikania veterane, zëri I së cilës ka mjaft peshë, pohoi publikisht se Dhoma do të nisë një hetim zyrtar kundër presidentit, nën akuzën se ka tradhëtuar betimin e bërë për postin që mban dhe vetë sigurinë e kombit, përmes kërkesës së drejtuar një fuqie të huaj për të njollosur një rival, me qëllim përfitimin e vet politik.

“Veprimet e ndërmarra nga ky president e kanë shkelur seriozisht kushtetutën. Trumpi duhet të mbajë përgjegjësi. Askush nuk është mbi ligjin”, tha Pelosi.

Hetimet e dhomës së kontrolluar nga demokratët I referohen një telefonate të Trumpit me presidentin e ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe ato që shihen si përpjekje të shefit të shtëpisë së bardhë për të hedhur baltë mbi ish zëvendës Joe Biden, i cili kryeson aktualisht garën për nominimin demokrat në presidencialet e vitit 2020. Menjëherë pas kësaj, presidenti premtoi një zbardhje të plotë, të deklasifikuar dhe të paredaktuar të bisedës që I nxiti kundërshtarët të kërkonin “impeachment-in“ e tij. Por përmbledhja e bisedës telefonike, e cila u bë publike nga vetë administrata amerikane një ditë pas deklaratës së Pelosit, tregoi se Trumpi I kishte kërkuar vërtet Zelensky –t gjatë telefonatës së muajit korrik që të hetonte nëse Biden kishte ndërhyrë për mbylljen e një hetimi ndaj një kompanie ukrainase për të cilën punonte I biri. Trump dëgjohet aty duke i thënë homologut ukrainas sesi ish numri I qeverisë amerikane kishte lobuar në 2016-tën që Ukraina të pezullonte kryeprokurorin e saj, Viktor Shokin. Zyra e Shokin, sipas tij, kishte hapur një hetim ndaj Burisma-s, një kompani e gazit natyror në të cilën Hunter Biden ishte anëtar bordi.

“Ka shumë fjalë për djalin e Bidenit. Thuhet që dhe Bideni vetë ndaloi ndjekjen penale dhe shumë njerëz duan të dijnë se çfarë ka ndodhur, ndaj çdo gjë që mund të bëni më prokurorin e përgjithshëm, do të ishte fantastike”, është shprehur Trump.

Për demokratët, teksti i zbardhur i bisedës nuk bëri gjë tjetër veçse konfirmoi shqetësimet se Presidenti po e përdorte politikën e jashtme amerikane për të përfituar vetë politikisht. Kreu i shtetit në sytë e tyre, kishte përdorur ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës si mjet për ta shtyrë qeverinë e saj të shënjestrojë Bidenin.Por Trumpi nuk sheh të ketë thënë aty ndonjë gjë të papërshtatshme. Në krah të tij dolën edhe disa ligjvënës republikanë e aleatë të tjerë, për të cilët transkriptimi I telefonatës nuk nxjerr në pah asgjë inkriminuese.

“Kjo quhet sjellje politike, dhe është e pranueshme për të gjithë presidentët”, thotë Tucker Carlson, komentator politik.

“Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve duhet t`I japin fund gënjeshtrave që I thonë popullit amerikan. Atyre nuk u intereson e vërteta. Ata janë të përqëndruar tek zhbërja e zgjedhjeve të 2016-tës”, thotë Kevin McCarthy, lideri i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Pelosi propozon shkarkimin e Trumpit që të mbulojë korrupsionin e drejtuar nga Obama dhe Biden në Ukrainë”, shprehen nga Americans for Limited Government, grupim i djathtë.

Pati madje dhe nga ata zëra republikanë që pretenduan hetim për Bidenin. Komiteti kombëtar republikan kërkoi që ish zëvendëspresidenti të nxjerrë dhe ai transkriptimett e bisedave me liderë ukrainas e kinezë, me argumentin se nuk do të ishte as e paligjshme, dhe as fizikisht e pamundur për Bidenin që ta bënte një gjë të tillë. Kampi I demokratit u kundërpërgjigj.

“Imagjinojeni pak habinë tonë kur dëgjuam që republikanët i bënë thirrje Joe Bidenit të shkelte ligjin dhe të lëshonte procesverbalet e klasifikuara, tek të cilat ai nuk ka qasje e as leje për t`i publikuar”, thotë TJ Ducklo, zëdhënës i Bidenit.

Trumpi vetë iu rikthye idesë së hershme të gjutetisë së shtrigave, dhe fajësimit të atyre që i cilëson si “gazetarë të korruptuar“ për debatin më të fundit që tronditi themelet e presidencës së tij.

“Nga mënyra se si e trajtuan çështjen, të dukej sikur ishte një telefonatë nga ferri. Por doli se nuk ishte asgjë, përveç faktit që shumë njerëz thanë ‘nuk e dija që mund të ishte kaq i sjellshëm”, është shprehur Trump.

Sipas dokumentit të zbardhur, të cituar nga Voa, Trump tha “Biden kishte shitur mend shumë herë që mbylli ndjekjen penale prandaj a mund ta shqyrtoni këtë çështje … mua më duket e tmerrshme”.

Administrata e tij ndërkohë nuk ka paraqitur prova që të dëshmojnë ndonjë shkelje të ish zëvendëspresidentit apo ndonjë pjesëtari të familjes së tij. Zbardhja e bisedës tregoi gjithashtu se shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka sugjeruar Zeleknsky-t që të kontaktojë me avokatin e tij personal, Rudy Giuliani, të cilin e përshkroi si një “njeri tejet të respektuar” si edhe me Prokurorin e Përgjithshëm, William Barr. Trump dëgjohet të thotë se Giuliani do të shkonte në Ukrainë, dhe në anën tjetër të telefonit mori përgjigjen se kur kjo të ndodhte, kreu I shtetit ukrainas do të zhvillonte një takim me të.

Sipas Business Insider, vetëm pak ditë përpara telefonatës me presidentin ukrainas, Trumpi kishte udhëzuar një zyrtar të lartë të Shtëpisë së Bardhë të bllokonte ndihmën ushtarake prej $400 milionë dollarësh për Ukrainën me pretendimin se kishte marrë një vendim të tillë ne mësin e shqetesimëve se Shtetet e Bashkuara po kontribuonin më shumë për të sesa për vendet e tjera europiane.

“Trump raportohet t`i ketë thënë shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë, Mick Mulvaney, që të ngrijë fondet të cilat Shtetet e Bashkuara I kishin ofruar në kohën e konflikteve të Ukrainës me separatistët pro-rusë. Zyrtarët I njoftuan liderët e kongresit se pauza dy mujore I detyrohej një procesi `ndërinstitucional“. Trumpi e ka mohuar se ndalimi I fondeve ishte për t`I bërë presion Presidentit Volodymyr Zelensky që të hetontë ish-zv/presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Por ai duket se e pranoi deri diku që paketën e ndihmës e kishte pasur në mendje gjatë telefonatës së 25 korrikut”, shkruan Business Insider.

Shtetet e Bashkuara kanë që prej aneksimit të Krimesë në 2014-tën që i japin ndihmë ushtarake Ukrainës. Për kreun e Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Schiff, ishte “shokuese që Shtëpia e Bardhë e bëri publike përmbajtjen e bisedës, duke menduar se kjo do ta ndihmonte në një farë mënyre presidentin.

Presidenti amerikan është pra në rrugën e shndërrimit në subjekt formal të një hetimi për shkarkim, fillimi ky I një procesi që mund ta shohë manjatin republican të dorëzojë celësat e Zyrës Ovale. Por si funksionon I ashtëquajturi “impeachment“?

“Impeachment-“ është praktikisht një proces kushtetutes përmes të cilit Kongresi ngre akuza kundër zyrtarëve të qeverisë që pretendohet të kenë kryer shkelje të rënda. Etërit themelues të kombit I dhanë Kongresit fuqinë të largojë nga detyra “presidentin, zëvëndespresidentin dhe të gjithë nëpuënsit civilë“, nëse I akuzuari dënohet për “tradhti, ryshfet, apo shkelje të tjera të rënda”.E thënë më thjeshtë, akuzat e ngritura në një rast të tillë janë të ngjashme me aktpadinë në gjykatë.

Si funksionon?

Dhoma e përfaqësuesve është e vetmja që ka fuqinë të nisë procedurën e  hetimit për shkarkimin e presidentit. Komisioni I saj gjyqësor është zakonisht përgjegjës për procedura të kësaj natyre. Dhoma 435 anëtareshe debaton dhe voton më pas për të ngritur ose jo akuzat.

Senati megjithatë, është ai që ka fuqinë të gjykojë cdo “impeachment“, që do të thotë se është ai që ka realisht fuqinë të dënojë.  Kur nën hetim është vetë presidenti, atëherë procedurat I mbikqyr kryetari I Gjykatës Supreme.

Vetëm dy presidentë në historinë e Shteteve të Bashkuara I janë nënshtruar deri tani hetimit me qëllim shkarkimin: Andrew Johnson and Bill Clinton. Senati nuk largoi nga posti asnjërin prej tyre. Ish presidenti Richard Nixon e dha dorëheqjen vetë, me qëllimin të shmangte një votim të Dhomës se perfaqesueve për rrëzimin e tij.

Dhoma e përfaqësuesve mësohet të ketë nisur më shumë se 60 herë procedura shkarkimi, por vetëm një e treta e rasteve cuan drejt atij rezultati. Tetë zyrtarë, që të gjithë gjyqtarë federal, janë dënuar e larguar nga detyra deri më tani, e jo më shumë. Por si mund të largohet nga detyra një president?

Që kjo të ndodhë, një shumicë prej dy të tretash në senatin 100 vendesh, duhet të votojë për dënimin e tij. Nëse arrihet ky nivel votash, presidenti duhet të tërhiqet. Cështja është se në rastin e Trumpit, Senatin e kontrollon partia e tij republikane, e kjo e bën të pamundur nxjerrjen e presidentit jashtë loje.

Nga ana ligjore, duhet të jetë e vështirë t`I rezistosh ngritjes së një stuhie të tillë ndaj një presidenti të konsideruar magnet polemikash, I cili dukej sikur praktikisht, po e kërkonte vetë një gjë të tillë. Politikisht ndërkohë, nuk është e njëjta gjë. Carlo Invernizzi-Accetti, profesor I asociuar I shkencave politike në City University të New York-ut, heq një paralele të kujdesshme me lidershipin e Silvio Berlusconit. Edhe pse një prej shumë procedurave të ngritura kundër tij coi në një dënim, duke e detyruar më pas të lërë dhe postin, fakti se Berluskoni nuk u mposht politikisht në qendra votimi, por vetëm juridikisht në gjykatë, la të kuptohej se arsyet e thella të popullaritetit të tij në elektoral, nuk ishin gërryer dot. Madje edhe pas përmbysjes së Berluskonit, vendi u përball me një valë liderësh populistë që “kopjuan“ tipare të rëndësishme të stilit të tij politik, duke nisur që nga komediani I kthyer në politikan, Beppe Grillo e duke përfunduar tek nacionalisti I djathte, Matteo salvini.

“Kjo tregon se ekziston vërtet rreziku që procedurat ligjore të shkëpusin vëmendjen nga çështjet themelore politike. Nëse kjo ndodh, Amerika, e shumtamund ta heqë qafe Trumpin, por nuk do ta kapërcente domosdoshmërisht problemin goxha më të gjerë të Trumpizmit si fenomen politik. Për të qenë të sigurtë, e gjithë kjo nuk duhet të ketë thjesht rëndësi nga pikëpamja e integritetit të sistemit institucional, por është problem për këdo që dëshiron të zëvendësojë axhendën politike të Trumpit me diçka më të mirë”, thotë Carlo Invernizzi-Accetti.

Së fundi, u mësua se zyrtarë të administratës amerikane kishin tentuar t`I fshihnin detajet e bisedës së raportuar nga një informator. Transkriptimi, sic thuhej në raport, nuk ishte ruajtur në sistemin kompjuterik ashtu sic ndodh zakonisht me biseda të tjera të kësaj natyre, por qe hedhur vecant, në një sistem të ndarë, që është shfrytëzuar për të ruajtur “informacione të klasifikuara të një natyre shumë të ndjeshme”. “Jam thellësisht i shqetësuar që veprimet e përshkruara më poshtë përbëjnë një problem serioz, abuzim ose shkelje të ligjit, dhe janë në përputhje me përcaktimin e një shqetësimi urgjent”, citohet të ketë thënë informatori.Nëse Trumpi ka kryer shkelje, atëherë le të gjykohet sipas procedurave në fuqi, mendon Invernizzi-Accetti. Por demokratët, vazhdon ai, nuk duhet të përpiqen të nxjerrin përfitime nga kjo për zgjedhjet presidenciale. Për votuesit, ajo që ka vërtet rëndësi në fund të ditës, janë alternativat konkrete politike që i ofrohen.

Irida Vasia

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA