Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku do të paraqitet sot në Prokurori për çështjen e pagesës së hotelit në Barcelonë. Burime jozyrtare bëjnë me dije se numri i dy i bashkisë do të merret në pyetje në orën 10:00.

Prokuroria ka nisur hetimet pas denoncimeve në media dhe nga Partia Demokratike se “pronari dhe administratori i Fusha shpk ka paguar hotelin 908 euro nata (në Barcelonë) për nënkryetarin Mazniku.”

“Në media është publikuar një faturë e një hoteli luksoz në Barcelonë, ku nënkryetari i bashkisë Arbian Mazniku është akomoduar për të pushuar në një dhomë për të cilën është paguar 908 euro nata. Kjo është fatura e numrit dy të bashkisë i cili për dy net në hotel AlmaBarcelona ka shpenzuar 1816 euro. Por ajo që përbën skandal përveç çmimit që ia kalon edhe abuzimit të ministrave të Ramës, është fakti se pagesa është bërë nga presidenti i kompanisë Fusha shpk, Shkëlqim Fusha nëpërmjet kartës së kreditit. Pra, përfituesi më i madhe i parave publike nëpërmjet bashkisë së Tiranës dhe qeverisë së Edi Ramës paguan dhomat luksoze të hotelit për zyrtarët e bashkisë të cilët prej 4 vitesh nuk kanë kursyer firmat për tenderat qindra miliona euroshe për të”, ka denoncuar Partia Demokratike.

Top Channel