Rrugëtimi ekonomik i Landit të Bavarisë, duke qenë motor i rëndësishëm në gjenerimin e vendeve të punës, është shembull i mirë që Kosova duhet ndjekur, duke zbatuar në praktikë politikat për arsimin dual, mbrojtjen dhe mbështetjen e investimeve.
Kështu deklaroi kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, në takimin me një delegacion të Parlamentit të Landit të Bavarisë të kryesuar nga kryetari Thomas Kreutzer, para të cilëve shpalosi planet konkrete të qeverisë për zhvillim ekonomik, rritjen e investimeve direkte, duke shprehur gatishmërinë që në këtë drejtim të krijohet partneritet i qëndrueshëm dhe afatgjatë me Gjermaninë.
Haradinaj e ka falënderuar delegacionin gjerman, për mbështetjen e vazhdueshme e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave, konfirmimin për këtë proces nga Ministri i Brendshëm Seehofer, i cili vjen po nga Bavaria, duke u zotuar se lëvizja e lirë e qytetarëve tanë, do t’i shërbejë frymës së këtij bashkëpunimi ekonomik dhe fuqizimit të partneritetit Kosovë – Gjermani.
“Jemi mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës si në aspektin politik, po ashtu edhe në atë ekonomik, andaj kërkojmë që ky bashkëpunim bilateral të vazhdojë edhe më tutje në fushat e interesit reciprok, me fokus të posaçëm ekonominë”, tha Haradinaj, duke shtuar se Kosova ofron potencial konkret për të fuqizuar partneritetin dhe këmbimet tregtare me Gjermaninë.
“Ne kemi krijuar Parkun Inovativ Trajnues në Prizren, si një oazë për investimet gjermane dhe kosovare dhe jemi angazhuar direkt që kjo të funksionojë dhe po vazhdojmë punën në këtë drejtim. Po ashtu, në pothuajse çdo sektor, Kosova ka çka ofron për tregun gjerman dhe ky është synimi ynë, orientimi i tregut drejt këtij partneriteti”, tha Haradinaj.
Në këtë takim, është biseduar për zhvillimet e përgjithshme në vend, me theks perspektivën euroatlantike të vendit, zhvillimin ekonomik dhe mundësitë e shumta ekonomike që ofron Kosova, për investimet direkte gjermane. Më tej, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se kontributi i kancelares Angela Merkel në procesin e Berlinit është i rëndësisë jetike për fuqizimin e rolit të Kosovës në këtë proces.
Top Channel