Turizmi në Amsterdam, taksat më të larta në Evropë

29/09/2019 23:29

Ai ka aktualisht një nga taksat më të larta për turistët në Evropë. Por, nga viti i ardhshëm, Amsterdami do të kërkojë akoma më shumë para nga vizitorët e tij, duke e bërë taksën më të lartën në kontinent.

Kryeqyteti holandez, do të kërkojë një pagesë prej 3 eurosh për person, për natë, për udhëtarët që qëndrojnë në hotelet e tij. Kjo i shtohet edhe 7 përqindëshit për dhomën e hotelit.

Lëvizja do të bëjë që një natë në një hotel me një yll në Amsterdam të kushtojë thuajse sa një natë në një hotel me pesë yje në kryeqytete të tjera evropiane.

Amsterdami në fakt duket se është lodhur nga mbifrekuentimi i turistëve me 18 milionë vizitorë të përvitshëm në një kohë kur popullata e tij është 867 mijë banorë.

Autoritetet po tentojnë të marrin masa për të frenuar fenomenin, dhe kanë zhvendosur aktualisht edhe shenjën e famshme IAMSTERDAM, një vend i famshëm për selfie, duke e çuar atë jashtë qytetit.

Po ashtu janë ndaluar edhe turet në lagjen me drita të kuqe, që nga marsi i këtij viti. Edhe Venecia ka plane të vendosë një taksë ditore prej 10 eurosh për vizitor në ditët e kulmit të sezonit ndërkohë që Barcelona dhe Dubrovniku, në kontrast, kanë ruajtur taksat në nivelet aktuale, respektivisht 2.25 euro dhe 1.35 euro për person.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA