Në Durrës bëhet plazh edhe në ditët e fundit të shtatorit. Buzë Adriatikut nuk gjen vetëm plazhistët e fundjavës, por edhe të huaj që po kalojnë pushimet. Për këdo që kërkon qetësinë dhe çmimet e arsyeshme plazhi në këtë periudhë konsiderohet ideal për pushime.
“Është shumë e rëndësishme për ne të pushojmë në vjeshtë. Fillon shkolla e puna dhe njerëzit largohen. Ka më pak njerëz dhe më shumë qetësi. Edhe çmimet janë pak më të lira se në verë”, thotë një burrë.
Por të paktë janë ata që kanë luksin të pushojnë atëherë kur të tjerët punojnë, ndaj për shumë kompani dhe institucione, brenda dhe jashtë vendit, vjeshta shfrytëzohet për të bërë një kthim të butë në punë.
”Ka pushues nga shtetet europiane, po dhe nga Amerika. Amerikanët e kanë zbuluar së fundmi bregdetin tonë dhe e zgjedhin si destinacion të ri për aktivitetet e tyre. Sot vjen një grup shumë i madh amerikanësh që do të qëndrojnë këtu për disa ditë, për një konferencë, po dhe për pushime”, tregon Katerina Quka, menaxhere turizmi.
Të tjera grupe nga vendet skandinave dhe Italia mësohet se janë akomoduar në hotelet e shumta të plazhit dhe qytetit të Durrësit. Krahas aktiviteteve të tyre, të huajt po zhvillojnë dhe ture në sitet arkeologjike dhe qytete të tjera me interes historik-kulturor të vendit.
Top Channel