Disa artistë të rinj kanë arritur të hyjnë brenda pak muajsh në tregun muzikor shqiptar, kryesisht në fushën rap-it, çka tregon se ka nisur zëvendësimi i brezit të reperëve që dominuan fillimin dhe mesin e viteve 2000.
Një prej artistëve të rinj është edhe Eraldi, shqiptari i lindur në Itali, i cili së fundmi ndodhet shpesh në vendlindjen e prindërve për të realizuar ëndrrën e tij, të bëhet një artist i suksesshëm.
“Classy” është kënga më e re që publikon Eraldi. Karrierën e ka nisur duke bashkëpunuar me njerëz ndër më të rëndësishmit në botën e muzikës, si Dj A-Boom dhe videomaker-i Alban Selimaj.
“Classy” është kënga e parë, që kur ka filluar gjithçka. Kënga ime e parë në studio me producentin me të cilin që kur kam qenë fëmijë kam ëndërruar me punu. Ndjenjat që kam ndjerë kur kam kënduar me të njëjtin mikrofon ku kanë kënduar disa nga artistët më të mëdhenj shqiptar, janë të papërshkrueshme. “Classy” është edhe hera e parë para një kamere, videoklipi i parë, me një ‘videomaker’ më të mirin në Shqipëri. Videoklipet i shihja vetëm në Youtube, tash po shoh videot e mia dhe ndihem krenar. Sot është një datë e veçantë për mua. Classy është online në Youtube”, shkruan Eraldi në Instagram.
Nëse dëgjon edhe tre këngët e mëparshme që ka publikuar, ‘Money Gang‘, ‘Zemra VVS‘ dhe ‘Euro Franga‘ kupton se stili i Eraldit është i ngjashëm me atë të artistëve të muzikës trap në Itali. I distancuar në tekste nga dhuna, që dominon një pjesë të madhe të muzikës vendase, Eraldi duket se ka vendosur një bast me veten e tij, të sjellë një stil të ri në muzikën shqiptare.
Top Channel